Qeverisë i kërkohet lehtësim i masave për të vaksinuarit

E publikuar: 17/09/2021 16:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Komunave të Kosovës në takimin e fundit që kishte pasur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte kërkuar lehtësira për qytetarët e vaksinuar me vaksinën anti-COVID. Pasi propozimi nuk u mor parasysh, AKK do ta bëjë të njëjtën kërkesë edhe në takimin e radhës me Vitinë.

Para përpilimit të masave të reja, Vitia mbledhur Komitetin anti-COVID, krerët e institucioneve shëndetësore të vendit dhe hisedarët në zbatimin e masave kundër COVID-19.

Në takimin e Komitetit, përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës, i kishin kërkuar ministrit Vitia që në masat e reja të ketë lehtësira për qytetarët e vaksinuar me vaksinën anti-COVID.

Ani se kjo nuk ndodhi, drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se kërkesa e njëjtë do të përsëritet edhe në takimin e radhës me ministrin Vitia.

“Në takimin e fundit që kemi pasur me ministrin Arben Vitia jemi dakorduar që në takimin e radhës të diskutohet përsëri dhe të merret parasysh kërkesa e komunave për lehtësim të masave për personat e vaksinuar. Ne prej komunave mendojmë se për personat që janë vaksinuar duhet të ketë lehtësira në krahasim me ata që nuk e kanë marrë vaksinën. Të vaksinuarit të kenq qasje në restorante, ndërkaq gastronomët të marrin përgjegjësinë e kontrollimit nëse klientët e posedojnë dëshminë e vaksinimit. Po ashtu, këto lehtësime të jenë relevante edhe për orën policore. Këto lehtësime do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal”, ka deklaruar Ibrahimi.

Express ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë nëse do të jetë opsion lehtësimi i masave anti-COVID për personat e vaksinuar, por MSH nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës.

Ndryshe, masat e reja kanë hyrë në fuqi nga data 13 shtator dhe do të jenë të vlefshme deri më 26 shtator.

Me masat e reja, mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar është pezulluar deri më 26 shtator.

Takimet lejohen vetëm deri në 20 persona, me distancë 1.5 metra, ndërkaq institucionet publike janë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial.

Lokalet e gastronomisë qëndrojnë të hapura deri në orën 21:30, duke i shfrytëzuar vetëm hapësirat e jashtme.

Pas orës 22:00 deri në orën 05:00, ndalohet lëvizja e qytetarëve, përveç në raste emergjente.

Në pikat kufitare, qytetarët mbi moshën 16-vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ, atë serologjik ose atë rapid.

Ndërkaq nga data 27 shtator, do të ketë masa të reja në varësi nga analizat e situatës epidemiologjike që mund të jetë në atë kohë.