Qeveria pas vërshimeve: Është ngritur niveli i gatishmërisë, nga Prishtina është nisur një njësi me pompa

E publikuar: 17/09/2022 15:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se me vëmendje po e përcjellë situatën në terren pas reshjeve të shumta të shiut.

Qeveria ka bërë të ditur se kanë ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar nga të reshurat, transmeton Klankosova.tv.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe Zëvendësministri i Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, bashkë me kryetarët e komunave dhe zyrtarë të institucioneve përgjegjëse po vizitojnë komunat e prekura, për të parë gjendjen dhe për të koordinuar veprimet për ofrimin e mbështetjes së nevojshme.

“Niveli qendror është në gjendje gatishmërie që t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellur njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. AME është duke e përcjellur gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komuna”.

Vërshimet kanë prekur disa fshatra të Gjakovës dhe Rahovecit dhe lagjet në qytetin e Gjakovës. Më e rënduar ka qenë gjendja në lagjet “Shote Galica”, “ Yllka Domi”, “Dergut Vokshi”, “Permet Vula” dhe disa lagje tjera në qytetin e Gjakovës.

Ministria e Punëve të Brendshme/Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim në lagjen “Shote Galica” dhe në lagjet tjera.

“Është ngritur niveli i gatishmërisë dhe nga Prishtina është nisur një njësi me pompa për tërheqje të ujit me kapacitet të madh”.

Një njësi e kërkim shpëtimit të AME-së është në gatishmëri, nëse duhet të shkojë për mbështetje, por aktualisht nuk ka nevojë për një veprim të tillë.

Policia e Kosovës gjatë tërë kohës po qëndron pranë qytetarëve në këto komuna.

Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cilido vend në Republikën e Kosovës).

Gjithashtu mund të thirrin edhe në këta numra:

Njësinë më të afërt Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194.