Qeveria miraton sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

E publikuar: 10/05/2023 11:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria ka miratuar sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Në këtë pako përfshihen eksportet e teknologjisë, importet e asfaltit dhe gomës sintetike, transiti i mallrave përmes Rusisë e disa të tjera, raporton Ekonomia Online.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ka thënë se edhe pse Kosova nuk është e obliguar t’i miratojë sanksionet në fjalë, ajo e bën këtë për t’u rreshtuar me BE-në dhe ShBA-në për ta dënuar agresionin rus në Ukrainë.

“Në vazhdim të mbështetjes të kundërshtimit të agresionit të Federatës së Rusisë ndaj Ukrainës, në përputhje me masat e BE-së dhe SHBA-së, propozojmë ndryshimin e vendimit për zbatimin e Pakos së 10-të të BE-së ndaj Federatës ruse dhe Bjellorusisë”.

“Si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë, BE-ja më 25 shkurt 2023 miratoi këtë pako të sanksioneve ekonomike. Kjo pako përfshinë eksportet e teknologjisë kritike të mallrave industriale, importet e asfaltit dhe gomës sintetike, sigurimi i kapacitetit të depozitimit të gazit për rusët, transitin përmes Rusisë për mallrat e eksportuar të BE-së”.

Gjithashtu, Gërvallës tregoi se janë vendosur sanksione shtesë kundër 87 individëve dhe 34 subjekteve ruse.

“BE-ja pezulloi licencat e transmetuesve të RT Arabic dhe Sputnik Arabic, kufizoi mundësinë e shtetasve rusë për të mbajtur çfarëdo pozicioni në organet drejtuese të infrastrukturës dhe entiteteve kritike të BE-së, vendosi sanksione shtesë kundër 87 individëve dhe 34 subjekteve duke përfshirë vendimmarrësit kryesor e udhëheqësit ushtarak, komandantët e grupit Wagner dhe prodhuesit e dronëve”.