Qeveria me dy opsione të reja për Brezovicen

E publikuar: 06/12/2016 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Projekti për kompleksin turistik të Brezovicës nuk u jetësua as në vitin 2016. Kanë kaluar më shumë se 6 muaj që kur konsorciumi francez ka dështuar që të sigurojë mjetet për kompleksin e Brezovicës.

Por edhe pas kësaj periudhe Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim rreth Brezovicës edhe pse nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është thënë se Qeveria e ka “Planin B” për të vazhduar përpara me këtë projekt.

Ministra e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë për Express se Qeveria është duke punuar në këtë aspekt por që ende nuk ka ndonjë të re.

Rreth projektit të Brezovicës, Bajrami ka konfirmuar se Qeveria i ka dy opsione rreth kësaj çështjeje.

Njëri do të jetë përsëritja e procedurës të mëpërshme, si dhe tjetra që përmes ligjit për Investime Strategjike të procedohet tutje.

“Për momentin i kemi dy opsione të tjera me të cilat do të vendosim se me cilin opsion të shkojmë më tutje. Një nga opsionet është që t’i përsërisim procedurat e mëparshme, tjetra është që ligji i prokurimit publik na i lejon procedurat e shkurtuara dhe tjetri përmes ligjit për investime strategjike. Jemi duke bisedu me kabinetin qeveritar se sa do të jetë madhësia e projekti. Do të thotë ende nuk ka diçka përfundimtare”, ka thënë Bajrami për Gazetën Express.

Ndërkohë që Ligji për Investime Strategjike, i miratuar disa javë më parë nga Qeveria nuk është dekretuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për shkak se deputetët e Listës Srpska i janë drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e ligjshmërisë së miratimit të këtij Ligji.

“Ende nuk ka ndonjë të re rreth çështjes së Brezovicës. Jemi duke punuar me disa ekspert të USAID’it rreth kësaj pune. Shumë shpejt do të formohet komisioni i ri ndërministror i cili edhe do të vendosë se me cilën scenario do të shkojmë. T’ju them të drejtën kemi qenë duke e pritur ligjin për investime strategjike sic e dini Lista Sprska e ka dërgua ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Presim përgjigje nga ana e tyre”, ka thënë tutje Mnistrja e MTI’së.

Në muajin qeshor të këtij viti, Komuniteti Drejtues Ndërministror ka njoftuar se Konzorciumi i udhëhequr nga Kompania franceze ka dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme financiare për implementimin e fazës së parë për Zhvillimin e Projektit të Brezovicës.

Ndërkohë në muajin prill të vitit 2014, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar me përfaqësuesit e konsorciumit francez të kompanive “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, një kontratë prej 410 milionë eurosh për projektin e zhvillimit të qendrës turistike të Brezovicës.

Brezovica është qendra më e madhe turistike në Kosovë që shtrihet në rajonin e Shtërpcës, një komunë e banuar me shumicë serbe.

Investitorët francezë qenë zotuar se do të krijohen mbi 3 mijë vende pune, ndërsa investimet do të kryheshin në disa faza. Në periudhën e parë 3 vjeçare, priteshin 165 milionë euro investime.

Në projekt parashihej zgjerimi apo krijimi i pistave të klasit botëror për ski, më të gjata se 100 km, që thuhej se do të ishin më të gjatat në Ballkan, të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera bashkëkohore me standarde të larta të sigurisë dhe të cilësisë më të mirë në rajon./GazetaExpress/