PZAP miraton dy ankesa të LDK-së, Vetëvendosje dënohet me 2 mijë e 400 euro

E publikuar: 20/10/2021 15:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 2 mijë e 400 euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

PZAP ka pranuar ankesën nr.629/2021 të parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kurse subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje i është shqiptuar gjobë në lartësi prej 1.200 euro, në emër të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, si thyerja e heshtjes zgjedhore.

“Detyrohet subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje me seli në Lipjan, që gjobën e shqiptuar si në pikën I të dispozitivit të këtij vendimi ta paguaj në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi, nën kërcënim të shqiptimit të dënimit shtesë”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Kurse ankesa tjetër e pranuar nga PZAP-ja është poashtu e parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës kundër Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pranohet ankesa Anr.619/2021 nga Lidhja Demokratike e Kosovës me seli në Prishtinë, ndërsa subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje me seli në Prishtinë, i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 1,200 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët- vendosja e materialit zgjedhor në hapësirë publike-trafo elektrike”, thuhet në vendim.

Vetëvendosje është e detyruar që të paguajë këtë gjobë në afat prej 15 ditëve.