Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protesta dhe grevë

E publikuar: 05/03/2021 19:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Sindikatës së Re në Korporatën Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka paralajmëruar protesta dhe grevë për shkak të kushteve të punës.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se punëtorëve të kësaj korporate iu mungon marrëveshja kolektive dhe se Ligji i Punës nuk respektohet fort.
“Çdo ditë në faqen e SRKEK-ut shohim njoftimet për raste të vdekjes së punëtorëve, të gjitha këto si rezultat i sëmundjeve profesionale që dyshohet se i marrin në vend të punës. Në anën tjetër shohim menaxhmentin nëpër media duke u lavdëruar për suksese në prodhim dhe profit të KEK-ut”, thotë ai.

Llumnica ka shtuar se ndërmarrjes me të fuqishme në vend i mungon marrëveshja kolektive nivel të ndërmarrjes, duke thënë se edhe ligji i punës nuk respektohet.

“Se për Bonuse në kohë pandemie nuk po flasim, sikur punëtorët e KEK-ut janë vegël pune e asgjë ma shumë”.

“Nuk do të tolerojmë më shumë. Zgjedhje e vetme është protesta dhe greva nuk po kemi rrugë tjetër. Nuk jemi egoistë, as nuk po kërkojmë lëmoshë por të drejtat tona dhe djersën tonë. Nëse Korporata Energjetike e Kosovës është më profitabile në vend, për meritë të askujt tjetër, veçse të punëtorëve të saj, që po sakrifikojnë për mirëqenien e tyre, për ndërmarrje me prodhim maksimal, për luftën ku kundër COVID-19, për dritën e Kosovës, për zhvillimin ekonomik”, ka shkruar Llumnica.