Punësimi dhe besimi në institucionet e vendit, problemet kryesore për serbët në Kosovë e shqiptarët në Serbi

E publikuar: 07/03/2023 13:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qendra për Demokraci dhe Arsim nga Lugina e Bujanocit dhe OJQ AKTIV në Mitrovicën e Veriut kanë publikuar hulumtimin “Nga sfidat e përbashkëta tek zgjidhjet e përbashkëta”, për pozitën e komunitetit serb në katër komuna në veri të Kosovës dhe komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Nga ky hulumtim është parë se serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Serbisë kanë probleme të përbashkëta, por ka edhe nga ato probleme që theksohen më shumë në njërin komunitet. I tillë është problemi i sigurisë, i cili duket të jetë problemi më i madh në veri të Kosovës, por jo edhe në Luginë.

Ndërsa, sa i përket problemeve të përbashkëta, si për serbët ashtu edhe për shqiptarët, papunësia dhe ekonomia kanë qenë në krye të listës.

Kështu ka bërë të ditur, Miodrag Milićević nga OJQ AKTIV, i cili ka treguar se hulumtimi është bërë në bazë të etnisë, gjinisë dhe arsimimit.

Milićević ka treguar se nga hulumtimi del që të dyja komunitetet kanë qasje në gjuhët amtare dhe janë të pajisur me dokumente shtetërore.

“Raporti është bërë në veri të Kosovës dhe në Luginë. Metodologjia është identike si hulumtimet e mëparshme, sipas etnisë, gjinisë, arsimimit etj. Nisemi nga pyetja e parë që është informimi i qytetarëve se ku është veriu i Kosovës. Shumë qytetarë informohen nga rrjetet sociale rreth 33%, po ashtu portalet, ndërkaq për neve është e çuditshme që mediat tradicionale janë të tretat në listë, rreth 20%.

“Sa i përket qasjes në informata kemi shqyrtuar çështjen e gjuhës, në Serbi por gjithsesi në Luginë e Bujanoc, qytetarët kanë qasje në gjuhën amtare. Sa i përket dokumenteve personale, shumica prej qytetarëve në jug kanë dokumente serbe, ndërsa një përqindje më e vogël kanë edhe dokumente serbe edhe kosovare”.

Ai gjithashtu tha se qytetarët janë të pakënaqur me përfaqësuesit e tyre politikë dhe se provokimet nga Policia kanë qenë një faktor tjetër në veri të Kosovës.

“Gjithsesi ka shumë dallime mes Luginës dhe veriut të Kosovës. Siguria është problemi më i madh, këtu flasim për sigurinë personale në veri, ndërkaq në Luginë është ndryshe. Emëruesit e përbashkët edhe për shqiptarët edhe serbët janë ekonomia dhe papunësia. Institucionet nuk kanë punuar në mënyrë adekuate për t’i ndaluar të rinjtë që të dalin jashtë vendit”.

“Qytetarët janë të pakënaqur me përfaqësuesit e tyre politikë dhe provokimet nga Policia kanë qenë një faktor tjetër në veri të Kosovës. Lufta me korrupsionin është një nga çështjet që duhet të punohet”.

Ndërsa, Agon Islami, koordinator i organizatës nga Bujanoci tha se një problem tjetër me të cilin përballen shqiptarët e Luginës dhe serbët në veri është nostrifikimi i diplomave.

“Janë disa problematika të përbashkëta që ballafaqohen shqiptarët e Luginës me serbët në veri. Nostrifikimi i diplomave ka qenë një problem dhe vazhdojmë të jenë problem. Që nga viti 2008, nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, qytetarëve që jetojnë në Luginë, atyre që kanë kryer shkollimin e lartë në Kosovë, nuk iu kanë njohur diplomat”.

Islami tutje tregoi se një përqindje e vogël e shqiptarëve në Luginë besojnë se jeta e tyre do të ndryshojë për të mirë, teksa po ashtu një përqindje e vogël do të pranonte të martohej me një serb/e.

Kjo duket të ndryshojë në veri ku një përqindje më e lartë e serbëve do të pranonte të martohej me një shqiptar/e.

“24% mendojnë që jeta e tyre do të vazhdojë siç ka qenë deri më tani dhe vetëm rreth 7% janë optimistë që do të ndryshojë diçka për mirë”.

“Raportet mes serbëve dhe shqiptarëve në Luginë janë diku 45% jo të mira, 32.9% të mira, 18.7% shumë të mira dhe 0.9% janë deklaruar se kanë raporte të shkëlqyeshme. Raportet mes serbëve dhe shqiptarëve në veri janë diku rreth 31.8% që kanë raporte jo të mira”.

“Sa i përket pyetjes se a pranoni që të bëhet bashkëshort/e e juaja një serb/e, në Luginë 93.9% janë përgjigjur jo ndërsa 6.1% po. Ndërkaq në veri dallon kjo përqindje, nga të anketuarit në veri, në pyetjen a pranoni të bëhet një grua/ burrë shqiptar/e për bashkëshort/e 80.7% janë përgjigjur jo, ndërsa 19.3% janë përgjigjur me po”, tha Islami.

Islami foli edhe për besimin që kanë shqiptarët e Luginës dhe serbët e veriut në institucione dhe akterë politikë.

“Ndërkaq sa i përket besimit nëpër institucione, qytetarët shqiptarë të Luginës, Qeverisë së Kosovës i besojnë 64.3% në krahasim me Qeverinë së Serbisë i besojnë 8.3%. Ndërsa serbët në veri Qeverisë së Kosovës i besojnë vetëm 1.2%, ndërsa asaj së Serbisë 21.8% një disproporcion me shqiptarët në Luginë”, tha ai.