Pula për vizitën e Lajçakut: Lufta në Ukrainë po e rikthen vëmendjen e BE-së në Ballkanin Perëndimor

E publikuar: 27/06/2022 11:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka thënë se vizita e emisarit special evropian për dialogun Kosovë – Serbi në Kosovë, është përpjekje e arritjes së një marrëveshje të mundshme, pasi është në fund të mandatit në këtë post, raporton Ekonomia Online.

Gjasat janë reale, thotë Pula është që Lajçak të rikonfirmohet edhe për një mandat si lehtësues i dialogut.

Ai për Ekonomia Online ka thënë se lufta në Ukrainë, ka bërë që Bashkimi Evropian ta rikthejë më shumë vëmendjen nga Ballkani Perëndimor.

“Ai është në përfundim të mandatit të tij dhe natyrisht pritjet janë që ai të rikonfirmohet në një mandat të radhës si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi. Kjo është përpjekja e tij e fundit për te parë gjasat apo mundësitë për nënshkrimin e një marrëveshje të radhës e të cilat janë mjaftueshëm të pambyllura si tema. Fatkeqësisht zhvillimet në një pjesë të Evropës siç është në Ukrainë, Unioni Evropian e ka rikthyer vëmendjen karshi Ballkanit Perëndimor por që veprimet akoma nuk janë ato që do të duhej të ishin në kuptimin e vendimmarrjeve të tyre për sa i përket temave që kanë të bëjnë me gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në raport me përafrimin e tyre drejt integrimit Evropian”, u shpreh ai.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Pula e sheh të pamundur marrëveshjen përfundimtare këtë vit. Thotë se ka një mori temash që duhet përmbyllur.

“Jo, brenda këtij viti kalendarik është e pamundur të ketë marrëveshje për faktin se ka një mori temash të cilat janë akoma të pambyllura dhe të cilat pa u përafruar ato tema të papërfunduara nuk mund të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Pula.Emisari special evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën nga sot deri më 29 qershor.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë vizitës së tij, diplomati sllovak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, liderë të opozitës dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.