“Protestat do të rrëzojnë Ramën”/ Berisha: Parlamenti nuk ka asnjë vendim për të ndihmuar shqiptarët, vetëm për t’i vjedhur ata

E publikuar: 05/09/2022 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri Sali Berisha në dalje të seancës së parë parlamentare për këtë sezon tha se nga lista e gjatë e ligjeve nuk kishte asnjë të vetëm për interesin e shqiptarëve.

Para Kuvendit, Berisha tha se ndryshe nga vendet e tjera të Europës apo Kosova, në parlamentin Shqiptar nuk ishte asnjë ligj për të ndihmuar shqiptarët në këtë periudhë të vështirë krize, për vetëm për t’i vjedhur ata dhe favorizuar krimin.

“Unë mund tu them se sot kjo seancë ishte pagane dhe një listë të gjatë ligjesh dhe vendimesh, nuk kishte absolutisht asnjë një rresht të vetëm për qytetarin shqiptar. Rikujtoj se vetëm dy ditë më parë, jo qeveria gjermane tha 40 miliardë euro, nuk e marr këtë shembull, por Kosova dha 100 euro për çdo pensionist dhe 100 euro për çdo student, 50 euro për çdo punonjës të administratës. Duke filluar nga nafta dhe produktet bazë janë 30% më të ulëta në Shqipëri, kurse ky parlament nuk ka asnjë vendim, asnjë nen dhe asnjë ligj për të mbështetur qytetarët shqiptarë që po vidhen në mënyrë të tmerrshme, duke shfrytëzuar rritjen e çmimeve me bordet komuniste të Edi Ramës. E gjitha ngrihet mbi krimin e drogën. Parlamenti është shndërruar në mbështetje të një regjimi që mashtron dhe vjedh në çdo firmë e vendim qytetarët shqiptarë. Dënoj me përçmim të madh këtë akt, këtë seancë dhe program të parlamentit, të denjë vetëm për krimin. Për qytetarët nuk ekziston as edhe një interes më minimal për t’i mbështetur, por vetëm për t’i vjedhur. Parlamenti është kujdesur për triumfin e krimit në ekonominë shqiptare. Ligji për amnistinë fiskale për të cilin flet me të madhe Edi Rama. Ligji për dhunimin e mediave”– tha Berisha para Kuvendit.

Berisha paralajmëroi se me protestat e qytetarëve që priten të nisin së shpejtë, do të rrëzohet maxhoranca.

“Qytetarët shqiptarë do arrijnë t’i japin përgjigjen ë merituar kësaj maxhorance në këtë stinë me protesta të mëdha kombëtare. Ka një front opozitar që do mblidhet, për shpëtimin e Shqipërisë dhe do të miratojë një agjendë e cila ka si synim një protestë të qëndrueshme popullore. Largimi i kësaj maxhorance është shpëtimi i Shqipërisë. Armiku është Edi Rama në të gjitha rrafshët”- shtoi Berisha.

I pyetur nga gazetarët për Partinë Demokratike e cila vijon ende me kampe të ndara, Berisha tha se sot vendi ka një opozitë me të fuqishme se kurrë dhe Edi Rama i ka “kohët e numëruara”

“Sot vendi ka një opozitë më të fuqishme se ndonjëherë dhe Edi Rama i ka kohërat e numëruara. Ishte në Beograd dëshmoi se Shqipërinë e do serbisht, atje do shkojë. Ai duhet të japë llogari për të gjitha vjedhjet që ka bërë me shumë dekada dënim për Edi Rama. Opozita është në betejë me Edi Ramën, kryetarja e Kuvendit është thjeshtë një instrument në duart e tij. Çdo gjë është e përcaktuar nga njeriu që vendosi monizmin në Shqipëri dhe duhet të ikë sa më shpejt që Shqipëria të vendose regjimin demokratik”- përfundoi Berisha.

/Top Channel/