Promovimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve Kinë-BE, interes i përbashkët i të dy palëve

E publikuar: 16/10/2021 15:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të premten bisedime telefonike me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel.

Xi Jinping-u vuri në dukje se, që nga fillimi i këtij viti, situata ndërkombëtare ka pësuar ndryshime të reja dhe marrëdhëniet Kinë-BE po përballen gjithashtu me probleme të reja. Kina dhe BE-ja janë dy forca të pavarura dhe partnere të gjithanshme strategjike. Të dy palët duhet të forcojnë komunikimin strategjik dhe të promovojnë bashkërisht zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE, çka përputhet me interesat e përbashkët të të dy palëve.

Xi Jinping-u theksoi më tej se Kina dhe BE-ja duhet ta kuptojnë saktë njëra-tjetrën, të dialogojnë e bashkëpunojnë dhe të këmbëngulin në respektin dhe leverdinë e ndërsjellë. Të dyja palët duhet të thellojnë komunikimin e politikave në fushat e zhvillimit të gjelbër dhe digjitalizimit, të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit konkret, të ndërthurin në mënyrë aktive nismën “Një brez, një rrugë” me nismën e ndërlidhshmërisë globale të BE-së dhe të forcojnë komunikimin e bashkëpunimin për çështje të tilla si ndryshimi klimatik dhe ruajtja e biodiversitetit.

Xi theksoi më tej se Kina dhe Europa janë të ndryshme në histori, kulturë, sisteme shoqërore dhe faza zhvillimi. Nuk është për t’u habitur që ato kanë disa dallime dhe konkurrencë, por gjithçka duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut dhe bisedimeve. Kina ka pasur gjithmonë sinqeritet për të zhvilluar marrëdhëniet me BE-në, po njëkohësisht do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat e veta zhvillimit. Ai shprehu shpresën që pala europiane t’i përmbahet autonomisë strategjike, të dallojë të drejtën nga e gabuara dhe të përpiqet së bashku me Kinën për zhvillimin e bashkëpunimit Kinë-BE.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel theksoi nga ana e tij se ndryshimet e fundit të situatës ndërkombëtare i kanë bërë BE-në dhe vendet anëtare të njohin rëndësinë e forcimit të autonomisë strategjike. Megjithëse Europa dhe Kina kanë sisteme dhe modele të ndryshme politike, Europa dhe Kina mbështesin multilateralizmin. Të dyja palët duhet të bashkëpunojnë në luftimin e epidemisë, promovimin e rimëkëmbjes ekonomike, përballimin e ndryshimeve klimatike dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal.

Zhvillimi i vazhdueshëm i partneritetit strategjik BE-Kinë përputhet me interesat e përbashkët të popujve të të dyja palëve. BE-ja do të forcojë dialogun dhe kontaktet me Kinën në frymën e respektit të ndërsjellë dhe do të menaxhojë në mënyrë efektive dallimet. Sipas Michel, BE-ja zbaton politikën e “një Kine” dhe nuk e ka ndryshuar kurrë politikën e saj në çështjet e Tajvanit. BE-ja do të zbatojë autonominë strategjike në trajtimin e çështjeve ndërkombëtare