Prokuroria s’tregon se cilat janë pistat e vazhdimit të hetimeve për “Rastin Dehari”

E publikuar: 10/12/2016 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hetimet për vdekjen e Astrit Deharit e cila u konstatua se ishte vetëvrasje ende nuk kanë përfunduar. Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë se hetimet nuk mund të përfundojnë shpejt.

Ka treguar se janë duke i pritur edhe disa ekspertiza.
Hetimet për anëtarin e Vetëvendosjes, Astrit Dehari ende nuk kanë përfunduar pavarësisht se janë mbushur një muaj prej se i dyshuari për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës u gjet i vdekur në qelinë e paraburgimit në Prizren.

Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë për Express se hetimet janë duke vazhduar dhe në të njëjtën kohë po i presin edhe disa ekspertiza.

“ Nuk i kemi kryer ende hetimet. Jemi duke i pritur edhe disa ekspertiza. Jemi duke punuar në këtë rast”, ka thënë Hoxha, të shtunën, për Express.

“Kur t’i kryejmë të gjitha hetimet do të dalim dhe do të tregojmë sikurse herën e kaluar”, ka shtuar ai.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor derisa ishte i paraburgosur nën dyshimin se kishte marrë pjesë në sulmin terrorist që kishte ndodhur në gusht të këtij viti ndaj Kuvendit të Kosovës.

Bashkë me Deharin ishin të dyshuar edhe pesë anëtarë tjerë të Vetëvendosjes.

Prokuroria e Kosovës e ka cilësuar si vdekjen e Deharit si vetëvrasje bazuar në Raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Mirëpo, Vetëvendosje fillimisht kishte thënë se Shteti ka vrarë Deharin por më vonë kanë thënë se anëtari i tyre vdiq në rrethana të dyshimta.