Prokuroria kërkon Halitin e Gashin, hetuesit s’i gjetën në Kuvend

E publikuar: 22/05/2018 15:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Debat i ashpër u zhvillua të enjten e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Por jo vetëm kaq, pas debatit të ashpër, shkoi edhe më larg.

Nënkryetari i Kuvendit, njëherësh deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti u konfrontua fizikisht me deputetin e LDK-së, Arben Gashin, duke e shtyrë këtë të fundit.

Rasti në fjalë është duke u hetuar edhe nga organet e drejtësisë. Prokuroria e Shtetit tashmë ka hapur procedurën lidhur me këtë rast por që intervistimi i tyre nuk është bërë ende.

Është pikërisht Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka i cili ka konfirmuar për Indeksonline se tashmë ka nisur procedura e rastit por jo ajo e intervistimit.

“Mundë të ju konfirmojë se lidhur me përplasjen fizike të ndodhur në Kuvend ditë më parë të deputetëve, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet për këtë. Hetuesit kanë shkuar në Kuvend por të njëjtit nuk kanë qenë aty. Megjithatë Prokuroria po i vazhdon hetimet lidhur me këtë çështje”, ka thënë Beka për Indeksonline.

Nga përleshja e dyshes ishin publikuar edhe pamje të cilat nxitën debate edhe nga qytetarë të shumtë të vendit./Indeksonline/