Prokuroria kërkon dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes për terrorizëm

E publikuar: 13/11/2017 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria ka kërkuar dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes për terrorizëm.

Në fjalën përfundimtare para gjykatës, prokurori Abdurrahim Islami ka prezantuar fotografi dhe dëshmi tjera që ka thënë se janë mbledhur nga Policia e Prokuroria.

Shumica e tyre ishin prezantuar nga Policia vetëm disa ditë pas arrestimit të 5 aktivistëve të Vetëvendosjes. Megjithatë, prokurori ka pranuar se raportet e ndryshme profesionale pastaj nuk kanë arritur të lidhin të akuzuarit me rastin por këtë e ka arsyetuar sipas tij, me faktin se të akuzuarit e kanë kryer sulmin me profesionalizëm, raporton KTV.

“Raportet e ekspertizave pastaj nuk kanë vërtetuar këto fotografi sepse është thënë se ato nuk kanë qenë të favorshme për identifikim, edhe në raportet e FBI. Raportet tjera kanë treguar se të akuzuarit kanë përdorur masat mbrojtëse dhe sulmin e kanë kryer me shumë profesionalizëm”, ka thënë prokurori Abdurrahim Islami.

Ai ka shtuar se nuk ka asnjë pikë apo presje që e bën aktakuzën politike, ashtu siç kanë deklaruar të akuzuarit. Fjalët përfundimtare janë duke i vazhduar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Kjo do të jetë seanca e fundit para se të shpallet vendimi i Gjykatës.

Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi akuzohen për terrorizëm që ka të bëjë me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Në pritje të marrjes në pyetje për rastin, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren vdiq vitin e kaluar Astrit Dehari.