Prokuroria kërkon dënime me të larta për deputetët e VV-së që hodhën gaz në Kuvend

E publikuar: 28/03/2018 18:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria e Shtetit nuk është e kënaqur me dënimin që iu është dhënë në këtë fillim vit deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në tentim që të pengohet ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit.

Indeksonline ka siguruar dokumente zyrtare ku Prokuroria e Shtetit i ka kërkuar Gjykatës së Apelit që dënimet të rriten në shkallën e dytë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, më datë 16.12.2015 kishte ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj- Bujupi dhe Faton Topalli për veprat penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare, vepra këto të kryera në kohën dhe vendin si në diapozitiv të aktakuzës, të cilin rast e ka përfaqësuar Prokurori i Shtetit, me propozim që Gjykata pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor publik verbal, të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’iu shqiptoi dënimin sipas Kodit Penal.

Gjykata Themelore në Prishtinë, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor ka shpallur aktgjykimin me datë 3 janar 2018, me të cilin rast ka bërë ricilësimin juridik të veprave penale, ashtu që për dallim nga ajo që është kualifikuar me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka vlerësuar se veprat penale që iu ngarkohen të pandehurve janë kryer në vazhdimësi dhe për të gjitha pikat e aktakuzës i ka shpallur fajtor.

Të akuzuarit ishin shpallur fajtor dhe kishin marr dënime të ndryshme, por që Gjykata kishte vendosur që dënimet me burgim kundër të gjithëve të aktakuzave nuk do të ekzekutohen, nëse në periudhën kohore prej dy vitesh, të akuzuarit nuk kryejnë vepër tjetër penale, e në rast të revokimit të dënimit të kushtëzuar me burgim, të njëjtëve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Gjykata i gjykoi ata me 1 vit e 6 muaj Albin Kurtin, Albulena Haxhiu 1 vit e 3 muaj, Donika Kadaj- Bujupi 1 vit e 6 muaj dhe Faton Topalli 1 vit e 2 muaj.

Gjykata Themelore me rastin e marrjes së vendimit për dënimin për të akuzuarit e lartcekur, kishte vlerësuar disa nga rrethanat lehtësuese të cilat parashihen sipas rregullave të përgjithshme për matjen e dënimit e në veçanti faktin se të akuzuarit nuk kanë qenë më parë të gjykuar apo të dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.

Sa i përket rrethanave rënduese, gjykata ka konstatuar se nuk ka gjetur, por Prokuroria mendon se pikërisht këtu është bërë një vlerësim i gabuar i gjykatës, sepse po të analizohej rasti me më kujdes do të gjendeshin edhe rrethanat renduese për të pandehurit, rrethana këto që do të ndikonin në vendimin e gjykatës për dënim.

Prokurori i Shtetit propozon që Gjykata e Apelit në Prishtinë, ta aprovoi këtë ankesë ndërsa aktgjykimin e animuar të datës 03.01.2018, ta ndryshojë sa i përket sanksionit penal ashtu që të pandehurve t’iu shqiptoj dënim në suaza të ligjit por me të lartë se sa ai i caktuar nga gjykata e shkallës së parë./Indeksonline/