Prokuroria e Pejës konfirmon: Tre të arrestuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

E publikuar: 11/12/2021 22:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Peje, Agim Kurmehaj, ka konfirmuar se janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen që ka ndodhur para disa ditësh në Gllogjan.

“Pas ndodhisë kemi filluar hetimet intensive së bashku dhe me ndihmën e Prokurorit të Shteti dhe nëjsive relevanete policore dhe pas punës intensive, me vendimin e prokurores së çështjes janë arrestuar tre persona me dyshimin se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë””, ka thënë ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ai tha se për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk do të japin detaje dhe po për këtë arsye s’do të pranojnë pyetje nga gazetarët.

“Prokurorja ka caktuar dhe lëshuar vendimin për 48 orë ndalim dhe është në përgatitje për dorëzimin e kërkesës për masën në procedurë penale. Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, s’mund të japim informata të tjera që do ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre, do të vazhdojmë me intensitet ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për ndriçimin e këtij rasti”.

Më 26 nëntor në sulmin ndaj një autobusi të linjës Gjakovë-Deçan mbetën të vdekur 3 persona, dy nxënës dhe shoferi.