Prokurori Special denoncon me shkrim kolegët: Po i ngucin gratë e huaja (DOKUMENT)

E publikuar: 14/10/2017 13:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një Prokuror Special brenda një periudhe njëvjeçare shkruar dy Letra me akuza të renda në drejtim të kolegëve të tij. Në letrën e dytë, Ali Rexha, ka thënë se posedon fakte se shefat në sistemin prokurorial po keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare me gra të huaja. Ka thënë se ata po bëjnë sjellje donzhaneske. Nuk ka dhënë emra por është shprehur i gatshëm të dëshmojë.

Më 12 korrik të vitit 2016, Prokurori Special, Ali Rexha, kishte shkruar një letër të gjatë në adresë të të gjithë kolegëve të tij. Ishte ankuar se nuk po avancohej dhe po keqtrajtohej për shkak se po “punon shumë”.

Për shkak të akuzave që kishte bërë në Letrën e parë, Rexha ishte denocnuar dhe nxjerr para Zyrës së Prokurorit Disiplinor si i paraqitur. Seanca e parë ndaj tij ishte mbajtur më 13 prill të vitit 2017. Pra, seanca e parë ndaj tij ishte mbajtur 9 muaj pasi e kishte shkruar Letrën e parë, shkruan Gazeta Express.

Rexha nuk e ka pritur rezultatet e hetimeve për Letrën e parë por e ka shkruar Letrën e dytë, më 22 qershor të këtij viti. Ka lëshuar akuza të reja në drejtim të udhëheqjes së Këshillit Prokurorial dhe Prokurorive. Por, nuk ka përmendur asnjë emër. Është treguar i gatshëm të ofrojë faktet.

“Shumë kolegë kanë ankesa në menaxhment në nivel të Këshillit dhe Kryeprokurorisë, por nuk kanë kurajë që haptazi të deklarohen”, shkruan Prokurori Special, në tekstin e letrës, me plot gabime drejtshkrimore.

Pastaj, lëshon akuzën më të rëndë në drejtim të udhëheqësve të Sistemit Prokurorial.

“Kam prova se këta menaxherë në orar zyrtar, në hapësira zyrtare apo publike, bëjnë sjellje donzhuaneske me gra të huaja. Ky gjest është sjellje e skajshme primitive. Kjo është keqpërdorim më primitiv i detyrës zyrtare”, shkruan më tej Rexha, në pikën 10 të akuzave të tij në adresë së udhëheqësve.

Sipas Fjalorit të gjuhës shqipe, donzhuan ka kuptimin kur një “burrë ose djalë është i dhënë pas aventurave të dashurisë dhe pas qejfeve; ai që u vjen rrotull grave dhe që përpiqet t’u pëlqejë atyre, t’i mashtrojë e t’i shtjerë në dorë me çdo mënyrë (sipas emrit të Don Zhuanit, heroit legjendar të disa veprave letrare spanjolle etj.).

Ali Rexha detyrën e Prokurorit Special e ushtron prej një korrikut të vitit 2008. Në deklarimin e fundit të pasurisë, ka treguar se për në vit merr 23 mijë euro. Që i bien se në muaj paguhet nga 1 mijë e 916 euro. Një ditë e Rexhës paguhet 63 euro llogaritur që punon edhe vikendeve dhe ditëve të festave.

Pos akuzës për veprime donzhuanekse, Rexha i thekson se brenda sistemit prokurorial, shpërblehen, avancohen dhe favorizohen njerëzit, të cilët sipas tij, nuk është dashur të jenë fare në sistem dhe për të cilët ka dyshime të bazuara për korrupsion dhe për dobësi profesionale.

Ai akuzon sistemin prokurorial se është poashtu kamp i politikanëve të dështuar në politikë dhe në prokurori.

Për më tepër, lexoni letrën e prokurorit special, Ali Rexha drejtuar prokurorëve.