Projektet e financuara nga BERZH-i do të kryhen me kohë

E publikuar: 16/01/2018 14:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pikë kryesore e diskutimit ishte trajtimi i barabartë i pronarëve formal dhe jo formal

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka siguruar gjatë një takimi delegacionin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga Donald Mishaxhiu dhe Julia Mackin, se nuk do të lejojë vonesa të mëtejme në implementim të projekteve ku financon BERZH-i, por edhe të projekteve tjera nën menaxhimin e kësaj ministrie.

Ky takim u fokusua mbi modalitetet dhe veprimet që duhen ndërmarrë për shpronësimet e pronarëve formal dhe joformal, përgjatë traseve të rrugëve që do të ndërtohen, ndikimin socio-ekonomik tek pronarët, vënien e objektivave që duhen arritur si dhe vlerësimin e trafikut.

Pikë kryesore e diskutimit ishte trajtimi i barabartë i pronarëve formal dhe jo formal si dhe dëgjimi publik për të gjitha këto kategori, ku të dyja palët u dakorduan që këto kategori të trajtohen të barabarta në vlerësimet paraprake dhe të bëhen konsultime me ta nëpërmjet debateve publike.

Nga ky takim u konkludua që të tri komponentet e ndikimit socio-ekonomik, të përfshihen në vendimin përfundimtar si dhe të vazhdohet tutje me implementimin e projekteve sa më parë që të jetë e mundur.

Përfaqësuesi i BERZH-it, Donald Mishaxhiu ka falënderuar Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn, për angazhimin e tij që procesi të ecë para, pa lënë anash edhe grupet punuese nga Ministria e Financave, Drejtoria e Tatimit në Pronë dhe ekspertët nga kompania konsulente./rtv21/