Profesorët e shohin të politizuar edhe listën e re të bordit të AKA-së

E publikuar: 05/03/2018 11:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
universiteti-i-prishtines-2014

Krasniqi e Paçarizi tregojnë zgjidhjet për zhvillimin e arsimit në vend

Në kohën kur ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi po premton se Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AKA) do të rikthehet në Regjistrin për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), lista e re e kandidatëve të propozuar për bordin e AKA-së nga profesorët universitarë po cilësohet si e politizuar.

EQAR e ka përjashtuar AKA-në me arsyetimin se ajo ka humbur aftësinë për të vepruar në mënyrë të pavarur. Megjithatë, edhe lista e propozuar me anëtarët e rinj të bordit duket të mos jetë aq e pavarur politikisht.

Profesori Milazim Krasniqi tha se zgjidhja nuk është zëvendësimi i disa jokompetentëve me disa jokompetentë të tjerë. Duke treguar se cila është zgjidhja e vetme.

“Në listën e re të kandidatëve të propozuar për bordin e AKA-s, janë nja dy emra me kredibilitet akademik, aq sa ka pasur edhe në përbërjen e kaluar. Pra, zgjidhja nuk është zëvendësimi i disa jokompetentëve me disa jokompetentë të tjerë, zëvendësimi i disa të deleguarve të PDK- së me disa të deleguar të AAK-Nismës, zëvendësimi i disa sekserëve të kolegjeve me disa sekserë të tjerë të kolegjeve. Zgjidhje është vetëm depolitizimi total i agjencisë dhe i arsimit në tërësi. Çdo zgjidhje tjetër është kot. Qishtu, i nderuar ministër!”, tha Krasniqi përmes një postimi të publikuar në “Faceboook”.

Gjithashtu, profesori universitar, Rrahman Paçarizi tha se zgjidhja është bordi kompetent, duke shtuar se arsimit duhet t’ia krijojnë parakushtet për zhvillim.

“Kjo eshte zgjidhja dhe jo grindjet me secilin dhe hedhja e fajit. Pra: Bord kompetent. Militantet partiake le t’i bejne zevendesministra e keshilltare. Le t’u japin edhe tendere. S’po u perzihet kish ne biznes, por arsimit duhet me ia kriju parakushtet per zhvillim”, ka komentuar Paçarizi.

Kjo listë e kandidatëve të propozuar për bordin e AKA-s pëbëhet nga: Gazmend Luboteni, Rozafa Koliqi- Lila, Berim Ramosaj, Arben Qerezi, Dukagjin Zeka dhe Ilir Doçi si dhe 3 anëtarë ndërkombëtarë. Në Bordin e shkarkuar të Agjencisë së Akreditimit ishin disa njerëz edhe të PDK’së. Në mesin e të cilëve Kryetari Blerim Rexha, i cili kishte qenë Zëvendësministër dhe kandidat për deputet të Partisë së Veselit./21Media