Pritet bllokadë e re e punës së Kuvendit si pasojë e zgjedhjeve lokale

E publikuar: 23/09/2017 19:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm dy javë më herët ndodhi konstituimi Kuvendit, por bllokada për këtë institucion duket se do të vazhdoj.

Vetëm një seancë ishte mbajtur të dielën e parë pas konstituimit dhe ajo u ndërpre për shkak të mungesës së figurës kryesore për të cilën ishte thirrur ajo, Ramush Haradinajt, raporton KTV.

Dy javë pas, Kuvendi i Republikës ka rënë në rend të dytë.

I gjithë përqendrimi i liderëve shtetëror që janë edhe lider partish është në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

Madje as në mbledhjen e Kryesisë nuk arritën të binin dakord për vazhdimin e seancës së mbetur, dhe datë për të nuk u vendos.

Skena të tilla ata që e mbikëqyrin punën e Kuvendit presin të shohin shpesh e sidomos në kohën e fushatës zgjedhore.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus thotë se gjatë kësaj periudhe mund të ketë vetëm tentime për të mbajtur seanca, por kuorum nuk do të ketë meqë përqendrimi duke nisur nga kreu i Kuvendit dhe deputetët do të jetë kryekëput në fushatë.

Madje ai e ka quajtur si target të paarritshëm planin legjislativ të Qeverisë, i cili parasheh që 88 ligje t’i kalojë Kuvendi brenda 2017-ës.

Artan Murati nga KDI-ja ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të mos thërras seanca meqë edhe ashtu është humbur shumë kohë që nga shpërbërja e deri te konstituimi i legjislaturës së re.

Ditë më parë kreu i Kuvendit Kadri Veseli e quajti legjitime luftën e partive politike për pushtet dhe angazhimin e madh në fushata, por tha se Kuvendi megjithatë nuk do të ketë bllokadë.

Por, si shembull mori shumë vende të rajonit që tha se në kohë fushatash nuk mbajnë fare seanca të Kuvendit.

Në AAK kanë thënë se do të ishte më mirë që këtë periudhë një mujore të fushatës për zgjedhjet lokale të mos kishte fare seanca plenare.