Prishtina, komuna me më së shumti raste aktive me Covid-19

E publikuar: 31/08/2021 09:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova po kalon në një situatë të rëndë me pandeminë COVID-19, me variantin Delta që po mbizotëron dhe po bëhet shkaktare për vdekje të shumta. Që nga fillimi i pandemisë Kosova ka regjistruar 143,603 raste pozitive, me 2,477 viktima dhe 114,601 të shëruar.

Aktualisht në vende janë 26,525 raste aktive me COVID-19 duke shtuar nevojën edhe për hospitalizim.

Prishtina ka numrin më të lartë të rasteve aktive me 5,116, pastaj vjen Prizreni 2,101, pasuar nga Peja me 1,838, Ferizaj 1,796, Gjilani me 1,672, Gjakova me 1,565, Mitrovica me 1,267, Fushë Kosova me 1,154, Podujeva me 1,150, Klina me 1,070, Drenasi me 826, Vushtrria me 535, Malisheva 512 e të tjera.

Paralelisht me rritjen e rasteve vazhdon të shënojë rritje edhe numri i pacientëve të spitalizuar me COVID-19 në kuadër të klinikave COVID-19 në QKUK dhe spitalet e përgjithshme.

Sipas raportit të fundit, në kuadër të tërë Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës janë të shtrirë 1284 pacientë, 1167 të konfirmuar me COVID-19 pozitivë, 1098 me oksigjeno- terapi, 60 të tjerë në kujdes intensiv.

Në klinikat COVID të QKUK-së, janë të shtrirë 449 pacientë, 435 prej tyre të konfirmuar me COVID-19, 399 me oksigjeno-terapi.

Në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 835 pacientë, 732 me COVID-19 pozitivë dhe 699 me oksigjeno-terapi.