Prishtina kërkon epilogun e dialogut me Beogradin këtë vit

E publikuar: 05/04/2018 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve, kanë vlerësuar udhëheqësit më të lartë të shtetit të Kosovës. Por, njëkohësisht është theksuar se nuk ka shumë vullnet te pala serbe për një marrëveshje ndër shtetërore, kurse janë ngritur edhe dyshime tek lehtësuesi i procesit të dialogut, përkatësisht tek Bashkimi Evropian, i cili është kritikuar për zvarritje të skajshme të procesit.

Presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova mbetet e vendosur për vazhdimin e dialogut, i cili sipas tij, duhet të përmbyllet me një marrëveshje dhe njohje reciproke.

Këto komente, Thaçi i bëri në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan.

“Në aspektin kohor, edhe në bazë të terminologjisë së përdorur në ‘Strategjinë për zgjerimin e BE-së’, flasim për një urgjencë në arritjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë”, theksoi presidenti i Kosovës, i cili kërkoi edhe unitetin e palës kosovare në bisedimet me Serbinë.

“Urgjenca për ne dhe për Brukselin, e le të shpresojmë edhe për Beogradin, nënkupton që ky vit të jetë kornizë kohore për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Sa i përket përmbajtjes së vetë marrëveshjes, ajo tashmë njeh një ‘kod’ të vetin politik dhe diplomatik, me titullin e një ‘marrëveshjeje ligjërisht obliguese’. Për ne në Kosovë, kjo marrëveshje ka peshën e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, tha Thaçi.

“Kjo marrëveshje, pastaj me terminologjinë e saj precize dhe të qartë do të duhej të mundësonte që Kosova të bëhej shtet anëtar i OKB-së, i OSBE-së dhe i të gjitha organizatave ndërkombëtare”, tha presidenti i Kosovës.

Marrëveshja ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipastij, do të duhej t’i sillte Kosovës edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së, si dhe një dinamikë të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO.

Sipas presidentit të Kosovës, kohët e fundit është dëshmuar se ka gjithnjë e më pak durim për të vazhduar dialogun në Bruksel pa një vizion të qartë për finalen e tij.

“Kur flasim për dialogun e pakryer të Kosovës dhe Serbisë, është gjithashtu e vërtetë që ka gjithnjë e më pak durim për të zhvilluar tutje bisedime në Bruksel, pa një afat të qartë kohor për rrumbullakimin e tyre, pa një synim të qartë se çfarë përmbajtje duhet të ketë marrëveshja në mes të dy shteteve, pa mekanizmat e qartë ndërkombëtarë që do të garantojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, nënvizoi Thaçi.

“Korrektimi i kufijve bart rreziqe që të gjithë i dimë, prandaj nuk do të futem të detaje”, tha presidenti Thaçi.

Kurse kryeministri Ramush Haradinaj tha se BE-ja si lehtësuese e bisedimeve po e udhëheqë këtë proces shumë ngadalë. Ai kërkoi nga Brukseli që të kërkojë ndihmë, duke aluduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse nuk ka kapacitet për ta përmbyllur çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Energjia e madhe e Uashingtonit që ka ekzistuar për ta ndaluar luftën, tani është deleguar te evropianët, e këta të fundit, siç janë të ngadalshëm e të ndarë, po e ngadalësojnë këtë proces”, tha Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës shprehu shqetësimin pse edhe pas dy dekadash çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e hapur. Ai tha se “nuk duhet të na vijë turp për t’ju thënë hapur se nëse nuk kanë kapacitet të kërkojnë ndihmë”.

“Nëse Brukseli zyrtar nuk ka kapacitet për ta mbyllur këtë temë le të kërkojë ndihmë, ose nëse nuk dëshiron ndihmë, të na tregojë se çka të bëjmë ne dhe ne shkojmë në drejtimin tonë ashtu sikur kemi ditur ta bëjmë në të kaluarën”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Ndërkohë, njëri nga liderët opozitar, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje tha se Beogradi synon ndarjen e Kosovës. Sipas tij, Kosova nuk duhet të lëshojë pe në marrëveshjet me Serbinë, për të siguruar që në të ardhmen të ketë një ulëse në OKB, apo në ndonjë organizatë tjetër.

“Prioritet për Kosovën duhet te jetë bashkimi i Mitrovicës. Nuk po them që ulësja në OKB është e parëndësishme, por më e rëndësishmja është bashkimi i Mitrovicës. Nuk duhet që në kurriz të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ta braktisim normalizimin e Kosovës”, theksoi Kurti.

Në konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues ndërkombëtar, ndër ta edhe ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie.

Ky i fundit tha se falë dialogut ka ndodhur integrimi i sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës siç ka ndodhur edhe integrimi i policisë. Por, ka nënvizuar ai, kohët e fundit vërehet një lloj lodhje nga dialogu.

“Dialogu nuk ka alternativë. SHBA mbështet aspiratat e Kosovës dhe Serbisë për t’iu bashkuar BE-së. Këtë vit duhet të bëhet përparim në dialog”, theksoi Delawie.

Po ashtu, në debat rreth çështjes së dialogut janë përfshi edhe përfaqësues të subjekteve politike, publicistë dhe njohës të zhvillimeve politike në Kosovë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.

Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.

Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë.

Kosova dhe Serbia, ndërkaq kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila, ndër tjera, parasheh edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Krahas asaj marrëveshje, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar edhe marrëveshje tjera, si atë për energjinë, lëvizjen e lirë, njohjen e diplomave universitare, atë për tabelat e automjeteve, marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit e të tjera./REL/