Prishtina hyn në fazën e ndotjes enorme të ajrit

E publikuar: 31/10/2017 09:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prishtinës i është rikthyer sinjali i kuq, që tregon se qyteti ka hyrë në fazën e ajrit të ndotur. Ndërkohë që asnjë mësim nuk është nxjerrë nga viti i kaluar në aspektin e mbrojtjes së tij nga ndotësit, kur parametrat tregonin për ndotje enorme ajri.

Kështu deklarojnë njohës të çështjeve të ambientit, të cilët thonë se nuk është bërë asgjë për përmirësimit e gjendjes me ndotësit permanent të ajrit në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zeqir Veselaj, profesor në Universitetin e Prishtinës i çështjeve të ambientit ka thënë se ndotja nga lëndët ngrohëse është periodike, kurse ndotja e përhershme nga energjetika dhe transporti janë të shtresuara dhe atyre gjatë dimrit dhe motit të ftohtë vetëm u mbivendoset ndotja nga djegia e lëndëve djegëse, siç janë qymyri, druri, mazuti etj.

Miranda Mullafazlia, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës ka thënë se Komuna ka vendosur matësit (sensoret) për ndotjen e ajrit, e cila gjë ka filluar të bëhet në 6 pika në lagjet kyç të kryeqytetit.

Ajo më pas ka theksuar se pos kësaj, ky projekt ka për qëllim edhe marrjen e masave adekuate nga institucionet qeveritare, si edhe të Komunës, për zvogëlimin e ndotjes se ajrit dhe përmirësimi i cilësisë së jetesës së qytetarëve të Prishtinës.