Presidentja Osmani në vizitë zyrtare në Mal të Zi

E publikuar: 06/02/2023 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë në Mal të Zi pasi është ftuar nga homologu, Milo Dukanoviq.

Kështu është bërë e ditur nga Presidenca.

“Presidentja Vjosa Osmani me ftesë të homologut Milo Đukanović, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Mal të Zi”, thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës në shtetin fqinj, Presidentja Osmani do të zhvillojë takim me Presidentin Dukanoviq, ku përveç konfirmimit të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërshtetërore, do të diskutohet edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.
Po ashtu presidentja Osmani gjatë vizitës në Mal të Zi do të takohet edhe me kryeministrin Dritan Abazoviq.

“Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe vizita në komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit. Në Ulqin, Presidentja Osmani përveç takimit me Kryetarin Omer Bajraktari, do të realizojë takime të ndara me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi dhe një grup intelektualësh dhe miqsh të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kurse në komunën e Tuzit, pas takimit me Kryetarin Nik Gjeloshaj do ta vizitojë një nga bizneset e suksesshme të kësaj komune, i cili njëherit është edhe investimi më i madh nga Kosova.