Presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla takuan presidentin e Senegalit, Macky Sall

E publikuar: 22/09/2021 22:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Presidentja-Osmani-dhe-ministrja-Gervalla-takuan-presidentin-e-Senegalit-Macky-Sall

Sot, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, u takuan me presidentin e Senegalit, Macky Sall.

Presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla e falënderuan presidentin Sall për angazhimin e Senegalit për njohjen dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Presidentja theksoi se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Senegalit dhe shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin.

“Vitin e ardhshëm, vendi juaj do ta marrë kryesimin e Unionit Afrikan”, tha presidentja Osmani. “Kjo do të jetë edhe një mundësi më shumë për ta zgjeruar dialogun me vendet e kësaj organizate, për ta njohur më mirë vendin tonë dhe për t’i zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit me këtë union”.

Ajo u shpreh e bindur se Senegali do të jetë një zë i fuqishëm dhe një urë lidhëse e fortë për raportet me vendet afrikane.

Presidentja theksoi rëndësinë e vizitave të ndërsjella, jo vetëm të krerëve institucionalë, por edhe të njerëzve të kulturës e të artit, të shëndetësisë e të arsimit. Ajo e ftoi presidentin e Senegalit që ta vizitojë Kosovën gjatë presidencës së Unionit Afrikan.

Po kështu, të dy presidentët u pajtuan që qeveritë e dy vendeve t’i vazhdojnë përpjekjet për nënshkrimin e katër marrëveshjeve të rëndësishme me Senegalin, të cilat do t’i përafrojnë edhe më shumë vendet tona.