Presidenti Thaçi takon kancelarin Austriak, Sebastian Kurz

E publikuar: 29/05/2018 11:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurtz, pret sot në takim zyrtar, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Pritet që në takim me Kancelarin Kurtz,të diskutohen çështjet kryesore për Kosovën, e të cilat aktualisht janë dy prej tyre.

E para është faza e fundit e dialogut me Serbinë, sidomos tani pas Samitit të Sofjes, ku u tha qartë se rajoni duhet të bëjë përpara drejt integrimeve evropiane.

Kurse tema e dytë, pritet të jetë liberalizimi i vizave për Kosovën, pasi pritet që në muajin qershor të mësohet nga Ekipi verifikues i Komisionit Evropian, nëse për ketë vit do të rekomandohet heqja e vizave për qytetarët kosovarë.

Në këtë rast, mbështetja e Austrisë është shumë e rëndësishme, ndonëse vetë qeveria e këtij vendi, përbëhet nga parti të ekstremit të qendrës së djathtë të cilat në tërësi nuk përkrahin politikat që kanë lidhje me migrantët.

Gjatë qëndrimit dyditësh në kryeqytetin austriak, presidenti Thaçi do të realizojë edhe një varg takimesh me ish zyrtarë të lartë të këtij shteti, të cilët nga opinioni kosovar njihen edhe si mbështetës të Kosovës.

I ftuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, si mysafir special, Presidenti Thaçi, nesër do të marrë pjesë edhe në përurimin e librit biografik “NeW State, Modern Statesman Hashim Thaçi – A Biography”, ku pritet të mbajë edhe një fjalë rasti.

Sipas njoftimit të Akademisë ndër më prestigjiozet në Evropë, thuhet se në këtë promovim do të merr pjesë, autorja Suzy Jagger, Ambasadori, Alber Rohn dhe ambasadori Wolfgang Petrisch.