Presidenti Thaçi shpërndan ‘medalje presidenciale’ edhe në Francë

E publikuar: 15/03/2018 14:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pati para vetes një listë të gjatë me emrat e atyre që do t’i dekoronte me “Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Pothuajse çdo ditë e dekoronte dikë, e në disa raste edhe më shumë se kaq.

Por dekoratat e Presidentit Thaçi tashmë tejkalojnë procedurën e dhënies në zyrën e tij. Ato tashmë kanë arritur edhe në Francë.

Një dekoratë të tillë Thaçi ia dhuroi edhe ish-presidentit të Francës, Nikola Sarkozy, duke e kujtuar një dhënie të tij vetëm disa ditë para se Kosova ta shpallte pavarësinë e vet.

“Çdo qytetar i Kosovës e mban në mend deklaratën e famshme të ish-presidentit Sarkozy kur paralajmëroi disa ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në një shkollë fillore në Paris, se harta evropiane do të ndryshoi dhe pasurohet me një shtet të ri – Republikën e Kosovës”, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.

Thaçi ka thënë se Sarkozy punoi palodhshëm për njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

“Sot pata nderin që ish-presidentit Sarkozy, që punoi palodhshëm për njohje ndërkombëtare të pavarësisë sonë, ta dekoroj në emër të shtetit dhe të popullit të Kosovës me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë”, ka shtuar ai.

“Kosova ka të ardhme të sigurt me miq nga i tërë spektri politik francez që përgjatë dekadave ishin mbrojtës dhe promovues të konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar ai./Insajderi.com