Presidenti kinez bën thirrje për solidaritet përballë sfidave të përbashkëta të njerëzimit

E publikuar: 31/12/2021 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti kinez Xi Jinping ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e Vitit të Ri 2022, ku ndër të tjera është shprehur se Kina do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit, për të përballuar sfidat e përbashkëta globale.

Duke vënë në dukje se viti 2021 ka qenë i mbushur me ngjarje të rëndësishme, kreu i shtetit i Kinës tha se sfidat përpara janë ende të mëdha, por theksoi vendosmërinë e Kinës për të ecur në rrugën e përparimit dhe të rilindjes kombëtare.

Ndërsa bota vijon ende të vuajë nga epidemia, z. Xi theksoi se liderë të vendeve të tjera dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare e kanë vlerësuar luftën e Kinës kundër COVID-19 dhe kontributin e saj për parandalimin e kontrollin e epidemisë në mbarë globin. Duke përmendur se Kina u ka ofruar deri tani 2 miliardë doza vaksinash kundër COVID-19 mbi 120 vendeve e organizatave ndërkombëtare, presidenti u shpreh se vetëm me solidaritetin e bashkëpunimin e vendeve të ndryshme, do të çelet një kapitull i ri në krijimin e një të ardhmeje të përbashkët të njerëzimit.

Kur kanë mbetur pak më shumë se një muaj nga Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, Xi Jinping-u tha në fjalimin e tij se Kina është e gatshme t’i japë botës një olimpiadë dimërore madhështore.