Presidenca për mostakimin me Lajçak: Ka qenë e pamundur për shkak të agjendës së ngjeshur

E publikuar: 01/09/2024 21:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari i BE’së njoftoi sot për takimet që ka pasur në Pragë gjatë qëndrimit në GLOBSEC2024. Ndër të tjerë, ai takoi Zëvendës Ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Presidentin e Serbisë, por nuk e takoi Presidenten Osmani e cila ishte atje. Burime të Gazetës Express thanë Osmani e ka refuzuar takimin me Lajçak të kërkuar nga sllovaku. Por, zyrtarisht nga Presidenca thonë se kjo ka ndodhur për shkak të agjendës së ngjeshur të shefes së shtetit në kryeqytetin çek.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Presidenca kanë thënë se Osmani ka pasur një agjendë të ngjeshur, rrjedhimisht ka qenë i pamundur takimi me Lajçakun.

“Për shkak të agjendës së ngjeshur të Presidentes gjatë vizitës njëditore në Pragë, ka qenë e pamundur të realizohet takimi këtë herë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Përndryshe, Lajçak ka paralajmëruar vizitë zyrtare në Prishtinë për të përgatitur takimin takimin e kryenegociatorëve.

Nuk dihet nëse do të takohet në Prishtinë me Osmanin.

Bashkimi Evropian po kritikon Kosovën për veprime të njëanshme, referuar operacioneve të Policisë në veri dhe paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit.

BE-ja kishte vendosur sanksione për Kosovën, me arsyetimin se veprimet e Qeverisë po çojnë ne eskalim të gjendjes në veri.

Osmani ka thënë se veprimet në veri janë legjitime dhe kushtetuese por që të jenë afatëgjata duhen koordinuar me aleatët. Ndërsa rreth hapjes së urës, Osmani po kërkon po ashtu hartimin e një plani të përbashkët për hapjen e saj.