Presidenca nuk komenton refuzimin e dekoratave

E publikuar: 20/02/2018 13:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka dekoruar një numër të madh personalitetesh nga fusha të ndryshme.

Mirëpo jo të gjithë pranuan këto dekorata. Në mesin e qindra të dekoruarve deri tani kanë refuzuar 10 personalitete këtë dekoratë. Ku në mesin e këtyre refuzuesve ka edhe bashkëluftëtar të presidentit Thaçi, gazetar dhe akademik.

E refuzimet e tilla presidenca e Kosovës, nuk i ka komentuar. Insajderi ka dërguar pyetje zyrës së presidentit lidhur me këtë çështje mirëpo nuk ka marr asnjë përgjigje deri më tani.

Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Rexhep Qosja, Veton Surroi, gazeta “Koha Ditore”, Radio Kosova e Lirë, Rexhep Selimi, Hydajet Hyseni, familja e Komandant Drinit, e bashkëshortja e ish-drejtorit të RTK-së, Agim Zatriqi, janë disa prej atyre që i kthyen mbrapsht dekoratat, pasi nuk e konsideruan Thaçin të denjë as edhe për t’i nderuar.

I pari që e ka refuzuar një dekoratë të tillë ishte ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK), Jakup Krasniqi, i cili ka qenë së bashku me presidentin Thaçi pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK).

Krasniqi ka thënë se nuk mund ta pranoj një dekoratë nga dikush që e ka fyer. “Hashimi nuk e ka asnjë kriter të vetëm në dhënien e Mirënjohjeve dhe të Dekoratave. Thjesht, ai po bënë pazare politike me mirënjohje e dekorata. “Refuzoj te dekorohem nga Hashimi, i cili personalisht me ka fyer, dhe jo vetëm në aferën Pronto”, kishte thënë Krasniqi.

E në mesin e personave që kanë refuzuar dekoratën e presidentit Thaçi është edhe njëri nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Thaçit, Fatmir Limaj, i cili tash është lider i partisë, “Nisma Socialdemorakte” dhe zëvendëskryeministër i Kosovës, në qeverinë Haradinaj.

Po ashtu edhe akademiku, Rexhep Qosja është në mesin e të dekoruarve të cilët kanë refuzuar këtë çmim. Në këtë listë ai ishte dekoruar për pjesëmarrje në Konferencën e Rambujesë.

Mirëpo sipas Qosjes kjo është një dekoratë e një regjimi që Kosovës i ka sjellë shumë dëme.

“E refuzoj sepse është çmimi i dhënë prej një regjimi, i cili me politikën e brendshme dhe me politikën e jashtme i ka sjellë dhe po i sjell shumë dëme dhe komprometime shtetit të Kosovës sot”, ka thënë Qosja.

Në listën e të dekoruarve të presidentit Thaçi është edhe protagonisti i “Dosjes së Shefave”, Adem Grabovci. I cili në kohën sa ishte kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), kishte punësuar njerëz në institucione shtetërore pa konkurruar. /Insajderi.com