Presidenca: Nën urdhrat e Vuçiqit u vendosën barikadat në veri

E publikuar: 31/07/2022 21:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Situata në veri të Kosovës raportohet të mos jetë e qetë. Kjo për shkak se gjatë ditës alarmi u aktivizua në qendër të veriut të Mitrovicës, e më pas serbët bllokuan edhe qarkullimin në dy pikat kufitare, atë të Jarinjes dhe Bërnjakut.

Për shkak të kësaj, njësi të shumta policore u desh të vendoseshin në pjesën veriore të vendit e ku nga afër situata po monitorohet edhe nga KFOR-i.

Lidhur me këtë ka reaguar, Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Vela tha se me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, strukturat ilegale serbe në Kosovë kanë ngritur barrikada në disa rrugë në veri.

Ai tha se kjo është një përpjekje flagrante për të minuar sundimin e ligjit në veri.

“Vuçiq mban përgjegjësinë e plotë për çdo përshkallëzim të situatën në terren. Ai do të dështojë”, shtoi Velaj.

Nga sonte në mesnatë, Kosova vendos reciprocitetin ndaj Serbisë, në lidhje me dokumentet dhe targat e automjeteve serbe.