Politikanët kosovarë, shkuan për vota, jo edhe kur u përmbytën (VIDEO)

E publikuar: 22/01/2023 20:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas ujit, nëpër komunat e dëmtuara vërshuan edhe vizitat e politikanëve.

Anëtarë të pushtetit e partive opozitare dolën kryesisht në Skënderaj e Mitrovicë, për të parë nga afër dëmet që u shkaktuan reshjet nga e enjtja.

Presidentja Vjosa Osmani ndau kohë vetëm një ditë pas vërshimeve, kurse kryeministri Albin Kurti doli në terren katër ditë pas dëmeve masive.

Njëjtë si ta nuk veproi edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Madje nuk pati asnjë reagim në rrjete sociale.

Afër banorëve të dëmtuar shkoi edhe kreu i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, por jo edhe Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike. Nga kjo parti, foto nga Skënderaj postoi të dielën deputeti Avdullah Hoti.

Ndërkaq i pari i Aleancës, Ramush Haradinaj, u mjaftua me një reagim në Facebook, duke i kërkuar qeverisë ta krijojë fondin emergjent për këso situata. Ndërsa Behgjet Pacolli i AKR-së e aktivizoi fondacionin e tij për t’i ndihmuar familjet e prekura nga vërshimet.

Por pavarësisht se morën goxha vota në këto dy komuna në zgjedhjet e fundit parlamentare, disa politikanë s’e morën mundin për vizita. Arben Vitia që mori mbi 4200 vota në Mitrovicë e gati një mijë në Skënderaj, as nuk postoi gjë për këtë zhvillim, veçse ministria e tij bëri thirrje për kujdes me ujë të pijes.

Njësoj as ministrja e Punëve të Jashtmë, Donika Gërvalla, që këtu mori rreth 3700 vota, e as shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari me mbi 2300 vota.

Kurse deputetët e qendrës së partisë në pushtet në Mitrovicë, shpërndanë fotografi nga vizita të ndryshme nëpër qytet, tri ditë pas fatkeqësisë.

Por edhe pse nga terreni i njëjtë, opozitarët e pushtetarët patën qasje të ndryshme, me të parët që kërkonin më shumë nga qeveria, dhe të dytët që thonë se po u rrinë afër qytetarëve.