Policia i përgjigjet ‘flakë për flakë’ kërcënimeve të Ramës: Nisin arrestimet në AKU

E publikuar: 10/10/2017 11:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pa kaluar ende 24 orë nga fjalimi kërcënues dhe paralajmërues i Edi Ramës në takimin e djeshëm me drejtuesit e AKU-së, policia ka nisur arrestimet e para.

Sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu, ditën e sotme janë bërë disa arrestime në qytetin e Korçës. Dy inspektorë të AKU-së kanë rënë në prangat e Policisë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi favorizuan një shtetas tjetër që të kalonte nga Maqedonia drejt Shqipërisë një sasi të konsiderueshme rrushi industrial.

“Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Akciza.

Arrestohen dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit-Korçë, për veprën penale “Shpërdorim detyre” pasi favorizuan një person tjetër, të kalonte nga Maqedonia drejt Shqipërisë një sasi të konsiderueshme rrushi industrial, duke i përpiluar një raport sanitar për tjetërsimin e cilësisë të këtij produkti, nga mall me akcizë në mall pa akcizë, me qëllim që të shmangte detyrimet doganore.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve: Vangjel Teodor, 62 vjeç, banues në Pogradec, Feridon Ibi, 55 vjeç, banues në Pogradec, Dashamir Çaushi, 63 vjeç, banues në fshatin Qershizë, të dy me detyrë inspektorë pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Korçë.

Një ditë më parë Vangjel Teodor, u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Qafë Thanë, Pogradec, duke transportuar me mjetin e tij tip furgon me targa PG 4046 B, një sasi prej 4600 kg rrush, të vendosur në 230 arka. Nga verifikimet e kryera dyshohet se personi i mësipërm, ka falsifikuar deklaratat e origjinës së mallit pasi ka bërë shmangien e një sasie prej 2300 kg të kësaj sasie, si edhe ka ndryshuar varietetin e këtij produkti në praktikën doganore, duke mos e deklaruar se shërbente për prodhim industrial.

Në vijim të këtij rasti, dy inspektorët e AKU-së, shtetasit Feridon Ibi dhe Dashamir Çaushi, duke qenë të planizuar me shërbim pranë degës doganore Qafë-Thanë, dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën, pasi kanë përpiluar një raport sanitar duke tjetërsuar cilësinë e këtij produkti (ku sasia më e madhe e tij shërbente për prodhim industrial).

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti tip furgon dhe sasia e produktit. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale : “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës, kryer në bashkëpunim”.