Policia me aksion në katër rajone të vendit, përfshirë edhe veriun

E publikuar: 13/10/2021 10:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit ka zhvilluar një aksion në Rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, raporton Express.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se aksioni po realizohet kundër kontrabandës së mallrave.

Në këtë operacion policor, i cili është ende duke vazhduar, janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.

Tutje, “Policia ka njoftuar se si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”.

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën e pa kompromis ndaj kontrabandës së mallrave, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri.

Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj.

Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.

Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale.