Policia e Kosovës jep detaje për shpërthimin afër Merdares

E publikuar: 08/12/2021 20:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për shkak të një mjeti shpërthyes në pikën kufitare në Merdare, rruga ka qenë e bllokuar për afro një orë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për Gazetën Express se pjestarët e KFOR-it kishin kërkuar nga Policia e Kosovës që përkohësisht ta ndalojnë qarkullimin e personave dhe automjetëve në atë zonë meqë kanë qenë duke e bërë një shpërthim të kontrolluar të një mjeti shpërthyes.

Kelani njoftoi se rruga është liruar për qarkullim normal rreth orës 18:30.

“Më datën 08.12.2021 rreth orës 17:30 në stacionin policor kufitar (SPK-Merdare) nga pjestarë të KFOR-it është kërkuar ndalimi i përkohëshëm i qarkullimit të personave dhe automjeteve, për aryse se janë duke bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar të një mjeti shpërthyes. Lokacioni i mjetit shpërthyes ka qenë në distancë mbi një kilometër larg pikës kufitare, por për shkaqe sigurie për një kohë të shkurtër është ndërprerë qarkullimi. Reth orës 18:20 rruga është liruar për qarkullim normal, pa problem”, ka thënë Kelani.