Policia e Kosovës e paaftë për zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit, thotë avokati serb

E publikuar: 15/03/2018 12:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të premten bëhen 2 muaj që nga vrasja e liderit të SDP-së, në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.
Avokati serb, Nebojsa Vlajiq, për agjencinë e lajmeve “Beta”, ka shprehur zhgënjimin e tij për faktin që institucionet kompetente sipas tij nuk e informuan publikun dhe familjen Ivanoviq për ecurinë dhe detajet e hetimeve, transmeton lajmi.net.

“Asgjë e re nuk ka ndodhur në muajin e fundit, përveç që çështja është dorëzuar në Prokurorinë Speciale. Jam i lumtur që kjo ka ndodhur sepse Prokuroria e Mitrovicës dhe policia nuk janë në krye të detyrës së tyre”, u shpreh Vlajiq.

Vlajiq shtoi se është vetëm një iluzion të pritet që policia të hedh dritë mbi këtë rast, pasi që sipas tij, kjo e fundit ka 18 vite që ka mungesë kompetencës, dhe aftësisë për raste të tilla.

“Vendimi për transferimin e rastit në Prokurorinë Speciale nuk do të thotë asgjë nëse ata tregojnë mosinteresim dhe paaftësi në zgjidhjen e rastit, ashtu siç kanë bërë policia dhe Prokuroria në Mitrovicë” tha Vlajiq.

Sipas tij, vetëm shërbimet e inteligjencës mund të qojnë në gjetjen e autorit të krimit.

Ivanoviq u vra me gjashtë plumba më 16 janar të këtij viti në Mitrovicën Veriore, pikërisht para zyrës së partisë së tij, në të cilën ishte kryetar. Menjëherë pas rastit, autoritetet e Beogradit kërkuan që të përfshihen në hetimet për zbardhjen e rastit, dhe të kenë në dorë dokumentet e fotografitë e nxjerra nga hetimet, gjë që në fillim nuk u pranua nga autoritetet e Prishtinës.

Hetimet për vrasjen e liderit të SDP-së u transferuan në duart e Prokurorisë Speciale një jave më parë për arsye të kompleksitetit të rastit. Prokuroria pas kësaj bëri të ditur që ka ngritur disa kallëzime penale mirëpo ende nuk ka të dyshuar ose të arrestuar për rastin në fjalë.

Në fund të muajit shkurt, Policia e Kosovës publikoi një video të veturës së dyshuar dhe bëri thirrje të qytetarët që të raportojnë nëse dinë diçka për makinën nga e cila u qëllua në drejtim të liderit të SDP-së, dhe e cila ishte incizuar nga kamerat e vendosura jashtë zyrave të partisë.

Më 19 shkurt, Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, thoshte se shërbimet serbe mund të vinin deri në zgjidhjen e rastit.

“Ne nuk kemi prova se kush është autori apo ai që qëndron prapa vrasjes, mirëpo kemi njohuri dhe dyshime të tjera. Është një armatë njerëzish që po angazhohet në këtë rast për 30 ditë më radhë, dhe kjo tregon se sa e rëndësishme është kjo për ne dhe vendin tonë. Ata kanë një detyrë para vetes, të gjejnë autorin e vrasjes së Ivanoviqit”, thoshte Vuçiq.

Disa ditë më herët Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se motivet e vrasjes ishin të një natyre kriminale dhe se autorët e krimit do të zbardhin rastin, edhe pse sipas tij e vërteta do të lëndonte dhe zhgënjente disa persona. Thaçi shtonte se Prishtina do të bashkëpunonte edhe me autoritetet e Beogradit në gjetjen e autorit të krimit.

Disa ditë pas vrasjes së liderit të SDP-së, Policia e Kosovës arriti që të sigurojë video incizimet nga kamerat të cilat tregonin skenën e vrasjes, e pas kësaj policia intervistoi edhe shumë dëshmitarë të tjerë. Policia pas rastit siguroi edhe makinën e djegur nga e cila fillimisht u dyshua që u përdor në kryerjen e këtij akti kriminal.

Edhe pse u pohua dhe u kërkua bashkëpunim, shkëmbimet e para të informacioneve mes Prishtinës dhe Beogradit nuk filluan deri në muajin shkurt.

Tri javë pas vrasjes, dy policë serb u arrestuan në Mitrovicën Veriore në dyshimin se kanë bërë fshehjen e provave. Ata dyshohej se morën pallton nga fytyra e liderit të vrarë dhe nuk e dërguan atë së bashku me provat tjera. Mirëpo pas disa ditësh Gjykata në Mitrovicë i liroi ata. Pas lirimit të tyre, Policia e Kosovës bëri të ditur që kanë bërë kërkime në dy lokacione të ndryshme në Mitrovicë, ku u konfiskuan dy revole dhe dy karikatorë me plumba 7 milimetërsh.

E pas hetimeve, bashkëpunëtori i Ivanoviq në SDP, Ksenija Bozoviq, deklaroi se policia nuk u kishte kthyer kompjuterët dhe pajisjet tjera të cilat ishin marrë si pjesë e hetimit. /Lajmi.net/