Policia e Kosovës arreston vëllain e të dënuarit për terrorizëm në SHBA

E publikuar: 19/01/2021 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka arrestuar vëllain e Ardit Ferizit nga Gjakova, i cili tashmë është i dënuar me 20 vjet burgim në Shtetet e Bashkuara për vepra terroriste, ka thënë Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, pa dhënë detaje se kur ka ndodhur arrestimi.

Derisa ishte në burg, Ardit Ferizi ka bashkëpunuar më vëllain e tij ku kanë kryer vepra penale, siç janë hyrje në informacione personale të qytetarëve të SHBA-së me qëllim të përftimit material, thuhet në një aktakuzë të ngritur në fillim të këtij muaji nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.
“Policia e Kosovës ka trajtuar disa raste ku personi në fjalë ka qenë i dyshuar, kryesisht raste me element të sulmeve kibernetike”, thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovës dërguar REL-it.

“I njëjti është arrestuar si i dyshuar për këto raste, për të cilat në kohën e kryerjes së veprës ka qenë i mitur. Të gjitha rastet janë proceduar me kallëzim penal në prokuroritë përkatëse”, thuhet tutje në përgjigje.

Policia nuk ka treguar se cili është roli i autoriteteve amerikane në rastin e arrestimit të kosovarit, mirëpo ka thënë se “ka pasur bashkëpunim edhe me institucione dhe autoritete tjera kompetente”.

Vjedhja e llogarive Bitcoin dhe Etherium

Sipas aktakuzës, të dhënat janë vjedhur mes viteve 2017-2019. Ardit Ferizi, edhe pse i burgosur në një burg federal, kishte qasje në internet. Sipas aktakuzës, vëllai i Ferizit po menaxhonte edhe llogaritë e tij pasi Ferizi i shkruante atij të “mbajë e-mail-at aktivë dhe mos i lë të mbyllen”.

Në aktakuzë thuhet se vëllai i tij në Kosovë po menaxhonte disa llogari të kriptovalutave Bitcoin dhe Etherium, për të cilat llogari, autoritet amerikane thonë se janë të vjedhura.

Përveç llogarive të kriptovalutave, të dy vëllezërit dyshohet se kanë vjedhur edhe të dhëna personale të identifikueshme, lista të shumta të llogarive të vjedhura të postës elektronike, numra të pjesshëm të kartave të kreditit, fjalëkalime dhe informacione të tjera konfidenciale.

Sipas prokurorit, vjedhja e informatave ishin frytet e veprimtarisë kriminale të Ferizit. Bazuar në një adresë IP që rezultoi se ishte nga Kosova, u përcaktua se vëllai i tij shkarkoi bazat e të dhënave të informacionit që ishin vjedhur.

Nga burgu në burg

Ardit Ferizi, 25 vjeç është një shtetas i Kosovës, i cili u deportua nga Malajzia në SHBA në vitin 2016 për t’u përballur me akuza për terrorizëm. Ai u deklarua fajtor për qasje të paautorizuar në informacionet kompjuterike, të dhëna që ua kishte dërguar një grupi terrorist. Këto të dhëna, kryesisht të ushtarëve dhe punonjëseve qeveritarë amerikanë, ua ka kaluar pjesëtarëve të të ashtuquajturit, Shteti Islamik (IS).