Policia dyshon për vetëvrasjen e aktorit Kurti

E publikuar: 24/04/2018 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Art Kurti, i cili së fundi ishte edhe këshilltar në kabinetin e kryetarit të Komunës së Gjakovës, dyshohet se është vetëvrarë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për KP se po heton rrethanat për vetëvrasje, në rastin e aktorit nga Gjakova, i cili u gjet i vdekur me një plumb në kokë në një veturë në fshatin Goden, në periferi të qytetit.

“Dyshimet e para çojnë për vetëvrasje. Në veturë është gjetur vetëm një armë dhe viktima ka pasur një fishek të shkrepur në kokë”, ka thënë komandanti i Policisë në Gjakovë, Kristë Gjoka.

“Sot rreth orës 7 e 50 të mëngjesit, Policia e Kosovës ka marrë një informatë për një trup të pajetë në fshatin Goden. Patrullat tona menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe bashkë me ekipin mjekësor kanë konfirmuar vdekjen. Bëhet fjalë për një person të moshës rreth 30 vjeçare dhe pranë tij është gjetur edhe një revole, që çon te një akt vetëvrasje, por hetimet janë fazën fillestare. Trupi i pajetë është marr nga mjekësia ligjore dhe është dërguar për obduksion”, ka thënë ai.

Ngushëllime për vdekjen e Kurtit ka shprehur edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

“Jam i shokuar nga lajmi që kolegu ynë Art Kurti nuk është më me ne. Kolegët e mi dhe unë ndjejmë dhimbje të thellë për këtë humbje. Largimi kaq i hershëm dhe i papritur i Artit, nga familja dhe të gjithë ne do të jetë vështirë i përballueshëm”, ka shkruar Gjini, duke u shprehur ngushëllimë familjes, kolegëve dhe miqve të Kurtit./koha.net/