Policia asiston hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale në veri

E publikuar: 26/05/2023 13:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës tha përmes një komunikate për media se është “duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”.

Mesditën e së premtes në të katër komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.

Para ndërtesës së Komunës në Zveçan gjenden edhe makina të Policisë së Kosovës.

Ish-këshilltari në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, Milija Bishevac, tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët janë mbledhur para ndërtesës së komunës të bindur se “kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri, po tenton të hyjë në objekt”.

“Ka makina, ku besohet se gjendet ai [kryetari i qytetit] dhe se ai po përpiqet të hyjë në ndërtesën e komunës”, tha Bishevac.