Polemikat e Hazirit nuk kanë ndikim – LDK e VV thonë se po përafrohen

E publikuar: 04/11/2019 22:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot ka përfunduar edhe takimi i katërt me radhë i grupeve punuese të LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Deri më tani në këto takime, që si synim kanë përafrimin e programit qeverisës, është arritur marrëveshje për fushat e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.

Përveç se këto takime po mbahen mes ekspertëve të fushave përkatëse në këto subjekte, ato po vendosin një standart të ri të lidhjes të koalicioneve në vendin tonë.

Nënkryetari i parë i LDK’së, Lutfi Haziri, me anë të një statusi në Facebook shkundi pak bashkëpunimin që ishte ndërtuar pas takimeve të njëpasnjëshme.

“Posti i kryeministrit kalon nëpër zyret e LDK’së”, kishte shkruar Haziri i cili pastaj edhe polemizoi me disa komentues të rëndomtë duke i thënë se është i gatshëm të shkojë kurdo në zgjedhje të reja.

Mirëpo kjo ngjalli reagime të mëdha nga kampi i Vetëvendosjes. Kandidatë për deputetë dhe zyrtarë nga ky subjekt i cituan deklaratat e Hazirit si të panevojshme dhe të dëmshme.

“Deklarata të stilit “që s’e shutoj une penallin, e marr topin e shkoj në shpi”, nuk i bëjnë nder një partie që pretendon të jetë institucionaliste e shtetformuese”, tha Hekuran Murati nga VV. Më pas ai shtoi se nuk duhet të humbet kohë në arritjen e marrëveshjes pasi që po luhet me vullnetin e popullit.

Është pikërisht këtu pika që duket se po ndikon në marrëdhëniet e mira mes dy subjekteve.

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, votuesit vendosën që partitë opozitare të qeverisin me vendin. LDK dhe VV kanë marrë thuajse gjysmën e votave në zgjedhje, dhe diferenca mes të dyjave është e vogël. VV është e para, dhe si e tillë duhet të i takojë pozita e kryeministrit, andaj debatet rreth këtij posti janë vetëm hubmje kohe.

Sot në takimin mes dy partive ishte i pranishëm edhe Haziri. Menjëherë pas takimit, Glauk Konjufca nga VV tha se më së largu edhe dy javë do të përfundojnë takimet mes grupeve punuese dhe pritet të dilet me një program të përbashkët qeverisës. Po ashtu ai vlerësoi edhe praninë e Hazirit në këtë takim duke e cilësuar të nevojshëm kontributin e tij në arritjen e marrëveshjes./Express/