Polemika e akuza, por jo edhe ratifikim të Demarkacionit

E publikuar: 23/02/2018 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë dakorduar që të shtyjnë sërish seancën e jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Seanca, është shtyrë për të mërkurën në ora 10:00.

Duke e caktuar seancën për të mërkurën, më 28 shkurt, Kosova po hyn në zonën “e rrezikshme” kohore, ngase deri më 1 mars, Komisioni Evropian pret që Kosova ta përmbushë edhe këtë kriter, para se eventualisht ta përfshijë në agjendën për liberalizimin e vizave.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje kërkon dy të tretat apo 80 vota të deputetëve, të cilat aktualisht nuk janë siguruar.

Me një vonesë prej 24 orëve, të premten, Kuvendi i Kosovës ka filluar me seancën e jashtëzakonshme, të thirrur qysh ditën e enjte, por të cilën nuk e ka përmbyllur.

Në fillim të seancës, tashmë të ndërprerë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi deklarimin e grupeve parlamentare, duke ua bërë me dije deputetëve, se votimi mund të ndodhë vetëm në një rast dhe nëse dështon ratifikimi i marrëveshjes, Kosova do ta humbë liberalizimin e vizave.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se po të ishte një marrëveshje e mirë, Kuvendi do ta ratifikonte qysh në vitin 2015. Sipas tij, marrëveshja është e dëmshme, andaj ratifikimin e saj duhet ta bëjnë ato subjekte politike që e kanë nënshkruar atë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se marrëveshja duhet të ratifikohet dhe se votimi i saj nuk duhet të ndodhë, para se të arrihet një konsensus i brendshëm politik.

LDK është shprehur për ratifikimin e Marrëveshjes. Por, ky subjekt politik nuk e mbështetë ratifikimin e demarkacionit, nëse pjesë e tij është edhe raporti i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, ku konstatohet se Marrëveshja e njëjtë është e dëmshme për Kosovën.

Një reagim të ashpër ndaj qëndrimit të LDK-së kishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Qeveria e vendit tuaj ka formuar një komision për t’i parë ato dilema. Ai komision e ka punuar një raport. Ai raport nuk është i Ramush Haradinajt, as i babait tim, Hilmut, është i Kosovës”, theksoi Haradinaj.

“Çfarë keni që po ju pengojnë të gjeturat e atij komisioni? Ku po ju dhëmb o vëllezër e motra? A aq kundër territorit tuaj jeni a? A aq problemi keni me tokën tuaj të këtij vendi që ua ka lënë gjysh e stërgjysh? Marre ju qoftë! Marre ju qoftë!”, iu drejtuar deputetëve të LDK-së me një ton mjaftë të ashpër Haradinaj.

Duke ju përgjigjur akuzave të kryeministrit, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Haradinaj sa ishte në opozitë e ka bllokuar për tri vite Kosovën duke shfrytëzuar një kauzë të rrejshme.

“Kush është patriot e kush është tradhtar dihet në këtë vend. Tre vjet e keni mbajtur këtë shoqëritë të ndarë me kauza të rrejshme. Grupi ynë parlamentar nuk voton raporte me kauza të rrejshme. Jemi pajtuar që ai raport bashkë me raporte tjera t’i bashkohen ligjit le ta shohin deputetët dhe të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre”, theksoi Hoti.

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Haradinaj.

“S’po ju vjen marre! Jeni kundër raportit që thotë se mund të gjendet e vërteta e territorit tuaj. Ky raport është kah ju pengon sepse thotë se mund të kthehet guri atje. Ku po ju dhemb?”, vazhdoi polemikat me LDK-në, Haradinaj.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila përfaqësohet me 32 deputetë në Kuvend, përveç që ishte pozicionuar kundër kësaj marrëveshjeje, ka refuzuar që të marrë pjesë edhe në takimet që shefat e grupeve parlamentare patën me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Vetëvendosje ka rikujtuar Qeverinë se Kosova e ka edhe një kusht të rëndësishëm për të përfituar nga liberalizimi i vizave.

“Pasi jeni kaq të etur le të dalë në votim kjo marrëveshja e demarkacionit dhe bëni vizat shumë shpejt, pasi po keni qejf edhe po ju ngutet kaq shumë. Mirëpo, atje mos harroni se është edhe një kriter tjetër shumë me rëndësi, korrupsioni”, tha Konjufca.

Ndërkaq, Grupi parlamentar i PDK-së është shprehur optimist për kalimin e marrëveshjes duke thënë se nuk ekziston më asnjë arsye për vonesë, sidomos pas arritjes së marrëveshjes së dy presidentëve, atij të Kosovës dhe Malit të Zi.

“Sinqerisht ne e kemi të vështirë sot të shohim arsye të forta për të vazhduar edhe me tutje këtë agoni për qytetarët e Kosovës të cilët mbi të gjitha na e kanë bërë të qartë se kërkojnë lëvizje të lirë dhe kjo lëvizje e lirë është pamundësuar pikërisht për shkak të mos kalimit të ratifikimit të këtij projektligji”, tha Krasniqi.

Sidoqoftë atmosfera jo e mirë për të vazhduar me seancën dhe pasiguria për ta hedhur në votim marreveshjen, e shtyri kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli që të shpallë pauzë.

Pas pauzës, u zhvillua një takim ndërmjet shefave të grupeve parlamentare dhe kryetarit Veseli. Aty, nuk mori pjesë vetem Vetevendosje, e cila e ka bërë të qartë se nuk e voton demarkacionin aktual.

Por, as pauza nuk solli ndonjë risi. Mungesa e konsensusit dhe votave, ndikoi që me shumicë votash, Kuvendi të shtyjë seancën deri në arritjen e një konsensusi.

Ndryshe, edhe të enjten, gjatë orëve të pasdites, partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë zhvilluar takim edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo në opozitë. Për lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje, në bisedime janë përfshi edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, për në fund nuk kishte dakordim të plotë.

Mospajtimet ndërlidhen me faktin se Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit.

LDK nuk e mbështetë ratifikimin bashkë me raportin e Komisionit shtetëror për kufirin, pasi që atë e konsideron si jo final dhe në kundërshtim me marrëveshjen me Malin e Zi.

Në anën tjetër, AAK ka deklaruar se do ta ratifikojë demarkacionin vetëm nëse Projektligjit i bashkëngjitet edhe raporti i Komisionit shtetëror.

Në analizat e bëra konstatohet se edhe nëse arrihet një marrëveshje mes PDK-së, AAK-së, Nismës dhe LDK-së me pakicat jo serbe, Kuvendi nuk do të arrijë të sigurojë 80 votat e nevojshme, pasi që subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje është pozicionuar kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, sikurse edhe Lista Serbe.

Ndërkohë, përfaqësuesit ndërkombëtar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe ata të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje të panumërta deputetëve që ta ratifikojnë demarkacionin dhe t’i hapin rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës./trans.rel/