Pjesëmarrja e Avni Arifit në takimin sekret në Berlin – shkelje dhe huqje e kompetencave të tij

E publikuar: 20/06/2019 23:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dje në Berlin të Gjermanisë është mbajtur një takim i fshehtë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të BE-së, Francës, Gjermanisë e SHBA-ve.

Kosova është përfaqësuar në këtë takim nga ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj Selim Selimi dhe ish-avokati i Haradinajt, Michael O’Riley.

Lajmi.net nga burimet vendore dhe ndërkombëtare ka raportuar se në këtë takim është diskutuar për formimin e asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive ku edhe është arritur marrëveshje.

Ekskluzive: Darkë e fshehtë në Berlin për Asociacionin me kompetenca ekzekutive

Mirëpo, ky takim i fshehtë dhe anëtarët e këtij delegacioni kanë ngjallur reagime në opinionin publik, e në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar edhe ekspertin e Kushtetutës, Riza Smaka.

Ai është shprehur se ekzistojnë rregulla elementare që përcaktojnë fushë-veprimin e diplomatëve.

“Janë disa rregulla elementare sipas të cilave çdokush do të vepronte në fushë-veprimin e vetë. Këtu është përzierje e kompetencave, e juridiksioneve dhe për këtë krijohen hallakama”, tha Smaka për lajmi.net.

Ndërsa ai është shprehur se Kushtetuta i jep kompetencat e politikave të jashtme presidentit të Kosovës.

“Në kushtetutë shprehimisht është e thënë se politikat e jashtme i udhëheq presidenti, pra shefi i shtetit, politikat i propozon dhe ekzekuton Qeveria, ndërsa konsultohet me Presidentin”, tha Smaka.

Ai tha se ambasadori Avni Arifi ka dalur jashtë kompetencave të tij duke shtuar se nuk është hera e parë që po përzihen kompetencat.

“Ka dalur jashtë kompetencave të tij sepse kushtetuta shprehimisht e thotë se presidenti i udhëheq politikat e jashtme të vendit”, tha Smaka.

Ndër të tjera, Avni Arifi e ka mohuar se në Berlin është biseduar për formimin e Asociacionit të Komunave serbe.