PIPS publikon “Strategjinë e Komunikimit për MSA-në” – rezultatet shqetësuese

E publikuar: 17/10/2017 12:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekziston një boshllëk i madh në mes të njohurive të qytetarëve dhe vetëdijesimit të tyre për MSA-në, ndërsa situata e tendosur politike dhe bllokadat e ndryshme kanë pamundësuar implementimin e kësaj marrëveshje.

Kështu është thënë me rastin e prezantimit të raportit “Roli dhe ndikimi i mediave në formësimin e opinionit publik rreth Marrëveshjes për Stabilizim Asociim” nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, ku është theksuar rëndësia e vetëdijesimit të publikut me informata të sakta lidhur me obligimet e MSA-së.

E në këtë pikë, sipas të pranishmëve, ndikim të madh ka mënyra e komunikimit të medieve.

Autori i këtij raporti, Dardan Bekaj, i ka quajtur shqetësuese rezultatet e këtij raporti, përderisa shtoi se ka karakter rekomandues për akterët e MSA-së, përkatësisht institucioneve publike dhe medias.

Edukimi, informimi, mobilizimi dhe avokimi i qytetarëve, sipas tij, janë komponentët që duhet të ketë parasysh media për t’iu qasur problemeve të identifikuara nga ky raport.

“Të gjeturat tregojnë se vetëm një përqindje e vogël rreth 3 për qind pohojnë se kanë njohuri në detaje rreth MSA-së. Pothuajse 10 për qind e tyre pohojnë se nuk kanë ndonjë informacion për MSA-në, ndërsa shumica e qytetarëve, rreth 70 për qind pohojnë se kanë njohuri 10-40 për qind për MSA-në. Ndërsa 10-20 për qind kanë pohuar se kanë njohuri mes 60-100 për qind. Këto rezultate janë shqetësuese dhe duhet të zgjojnë vëmendjen institucionale nëse veç aspirojmë të jemi pjesë e bashkësisë evropiane”, tha ai, raporton KP.

Leonora Kryeziu nga PIPS ka thënë se përkundër asaj se MSA ka hyrë në fuqi një vit më parë, situata e tendosur politike dhe bllokadat kanë pamundësuar zbatimin e saj në tërësi.

Sipas saj, në këtë drejtim mund të bëhet më shumë, përderisa shtoi se institucionet e vendit, shoqëria civile dhe mediat janë ato që mund të shpejtojnë implementimin e kësaj marrëveshje. E për këtë ajo shto se Kosova mund të mësoj shumë nga praktikat e vendeve të rajonit që tashmë kanë kaluar këtë proces.

“Kanë kaluar gati dy vite kur Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është nënshkruar dhe më shumë se një vit që kur ajo ka hyrë në fuqi. Një situatë politike e tendosur dhe vakuumi institucional dhe bllokadat e kanë pamundësuar shfrytëzimin e kësaj marrëveshje në tërësi. Sidoqoftë ne vazhdojmë të besojmë se MSA-ja është momenti më i rëndësishëm për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe mund të bëjmë shumë më shumë. Institucionet e Kosovës mund të shpejtojnë implementimin e obligimeve të saja. Ne si shoqëri civile dhe media mund të monitorojmë dhe rekomandojmë për probleme që dalin rrugës ndërsa mediat në veçanti mund të ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve për këtë marrëveshje që aktualisht mendoj se është i mangët”, tha ajo.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, tha se në Kosovë ekzistojnë keqkuptime dhe keqinterpretime lidhur me MSA-në, ndërsa theksoi se MSA ngërthen të drejta por edhe obligime, përderisa shërben si urë lidhëse që Kosova të jetë më afër Bashkimit Evropian.

“Këto të drejta dhe obligime i ndihmojnë Kosovës për t’iu përshtat standardeve evropiane. MSA-ja është marrëdhënia e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së. Prandaj, MSA-ja është një vegël për të përcaktuar prioritetet e reformave dhe për t’i formësuar ato në pajtim me politikat më të mira të BE-së dhe të ndihmojë në zgjedhjen e problemeve dhe që në fund ta monitorojë implementimin e saj të tërësishëm… MSA-ja është një mundësi për Kosovën që të zhvendoset më afër BE-së dhe për ta përmirësuar standardin e jetës së qytetarëve të vendit”, theksoi ajo.

BE-ja, EULEX-i, ambasadat bilaterale dhe SHBA-ja, siç tha ajo, qëndrojnë të gatshme për ta ndihmuar Kosovën në rrugën drejt implementimit të kësaj marrëveshje, kurse shtoi se media ka rol të veçantë për informimin e publikut përmes komunikimit të duhur, për të treguar saktë se cilët hapa duhet të ndërmerren, kjo pasi që obligimet jo realiste brenda qytetarëve mund të kthehen bumerang.

Ajo shtoi se Holanda është e fokusuar të ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.