Pezullohen nga puna dy zyrtarë të SHKK-së lidhur me vdekjen e Astrit Deharit

E publikuar: 21/09/2022 19:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë të ditur të mërkurën, se ka pezulluar nga puna Burim Buleshkaj, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe Destan Zogaj, zyrtar korrektues, ish-ushtrues detyre i drejtorit në Qendrën e Paraburgimit Prizren.

Sipas njoftimit, ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje lidhur me ngjarjen e vitit 2016 në qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016. Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës. Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës vendosë pezullimin e nëpunësve civil, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në njoftim.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Teksa Prokuroria atë kohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.