Petkoviq: Nervozizëm i madh në bisedime

E publikuar: 27/02/2023 20:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në takimin e sotëm në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “po thyhen shtiza” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Duke folur nga Brukseli për Televizionin Pink të Serbisë, Petkoviq tha se Kurti “po përpiqet në çdo mënyrë ta shmangë detyrimin për formimin e Asociacionit”, ndërsa Vuçiq “insiston pikërisht në të”.

“Kemi manovrime të Albin Kurtit dhe, në anën tjetër, presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili po lufton për Marrëveshjen e Brukselit [për themelimin e Asociacionit]. Për këtë po thyhen shtiza dhe ka një nervozizëm të madh. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të ditës”, tha Petkoviq, transmetojnë agjencitë serbe të lajmeve.

I pyetur nëse do të nënshkruhet ndonjë gjë sonte në Bruksel, ku po diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Petkoviq tha se sot “nuk është kurrfarë dite D”, duke iu referuar figurativisht ditës ku pritet të ndodhë diçka e rëndësishme.

Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të formohet asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiq këmbëngul në themelimin e tij.

Propozimi i BE-së, për të cilin po diskutojnë palët, nuk e përmend në mënyrë specifike formimin e Asociacionit, por kërkon nga të dyja vendet që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky dialog, i cili ka nisur në vitin 2013, ka prodhuar dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar.

Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin evropian.