Përplasja FSHF-TKZ, Agolli: Uroj që tifozët të kthehen (Video)

E publikuar: 17/11/2016 21:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Debatin post-Izrael e vazhdon kapiteni i kombëtares, Ansi Agolli. Humbja në fushë dhe masa e sigurisë ngjallën një pakënaqësi të madhe në mesin e tifozëve, duke i detyruar këta të fundit të marrin edhe vendimin ekstrem, bojkotimin e ndeshjeve si vendas të kombëtares.

Përmes një postimi në Facebook, Agolli, pasi bëri një autokritikë si kapiten i skuadrës, duke thënë se kombëtarja duhet të punojë më shumë pas asaj humbjeje në “Elbasan Arena”, ai kritikoi edhe autoritetet për sjelljen ndaj tifozëve.

Sipas tij, u krijua një tension i tepruar, të cilët sipas tij, ndikuan më pas edhe në lojë. Në fund, ai uron që tifozët të ndryshojnë qëndrim dhe të rikthehen në stadium, pasi kapiteni Agolli thotë se lojtarët luajnë për tifozët.

Reagimi i plotë i Ansi Agollit:

Zakonisht jam i heshtur pas lojërave të kombëtares, sidomos pas humbjeve, pasi mendoj se duhet të ketë reflektim. Sigurisht që asnjë nga ne në fushë, stafi e shikuesit nuk janë të kënaqur me rezultatin e ndeshjes së fundit. Jemi të vetëdijshëm që ka nevojë për punë, nga të gjithë ne, dhe jam i sigurt që do të punojmë që të sjellim paraqitje me te mira në ndeshjet e radhës. Por sikur të mos mjaftonte, situata jashtë fushës së lojës, trajtimi i tifozëve tanë, ka lënë një shije të hidhur për ne si lojtarë. Në ndeshjen e fundit, u morën masa ekstreme sigurie, e u krijua një tension i tepruar, të cilët e vështirësuan jetën dhe lojën për të gjithë ne. Duket i pakuptimtë trajtimi i ashpër i tifozëve tanë. Ata janë vërtet të mrekullueshëm, siç kanë treguar në të gjitha ndeshjet e kombëtares, me mbështetje të zjarrtë dhe korrekte me kundërshtarët. Po ashtu, në Europian, ku alarmet e sigurisë ishin shumë më të lartë, ata u vlerësuan nga të gjitha mediat e huaja si shembull për masivitetin e sjelljen. I falënderojmë sinqerisht forcat e rendit që kujdesen gjithnjë për sigurinë tonë dhe të tifozëve. Por kujtoj, se kjo siguri nuk mund të bëhet në shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Lëvizja e lirë është një prej tyre dhe ndalimi në kufi i tifozëve shqiptarë nga FYROM, është një rast i paprecedent. Asnjë masë sigurie nuk mund ta justifikojë këtë veprim. Urojmë që të mos përsëritet më! Thënë kjo, uroj edhe që tifozët të kthehen në stadium! Fundja për ata luajmë futboll!!!

/ Top Channel