Përhapje e gripit sezonal sidomos te fëmijët, simptomat të ngjashme me Covidin

E publikuar: 07/12/2021 21:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përhapje e gripit sezonal sidomos te fëmijët, simptomat të ngjashme me Covidin

Gripi sezonal ka filluar të përhapet me të madhe në Kosovë.

Dy javët e fundit është rritur dukshëm numri i personave që po kërkojnë trajtim mjekësor.

Kështu njoftoi për Front Online, doktoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Drita Peqani.

“Në 14-ditëshin e fundit është rritur numri i pacientëve ne QKMF të cilët ankohen me simptomatologji të gripit zezonal e këto simptome janë: ethe, temperaturë, kollitje, dhembje e fytit, dhembje e gjeneralizuar e muskujve, dhembje koke e te fëmijët edhe me çrregullime gastrointestinale (të vjella e barkqitje)”, tha Peqani.

Doktoresha e QKMF-së: Më të prekurit nga gripi sezonal fëmijët e moshës 6 deri 17 vjeç.

Sipas saj, kategoria më e prekur nga gripi sezonal janë fëmijët e moshës 6 deri 17 vjeç, ndërsa më të rrezikuarit janë ata me sëmundje kronike dhe respiratorë.

“Numri më i madh i pacientëve është fëmijë shkollorë. Mosha më e prekur është 6 deri 17 vjeç. Mirëpo më të rrezikuar janë të sëmurët kronikë, si ata me sëmundje respiratore (sistemit të frymëmarrjes kardiovaskulare, zemrës, diabetit, sëmundje reumatizmale, të veshkave”, tha ajo.

Peqani shtoi se simptomatologjia e COVID-19 dhe gripit sezonal është shumë e ngjashme.

“Shpeshherë sfidohemi gjatë diagnostikimi në mes të gripit sezonal dhe Covid19 pasi simptomatologjia është shumë e ngjashme përpos humbja e të nuhaturit dhe shijes te Covid19, nëse kemi dilema pacientët po i testojmë për Sars covid 19”, tha Peqani.

Për situatën me gripin sezonal, infektologët kosovarë bëjnë apel që të vaksinohen moshat më të rrezikuara.

Simptomat e gripit sezonal, infektologët rekomandojnë testin PCRE infektologu Murat Mehmeti thaë se diferencimi i gripit sezonal dhe COVID-19 duhet bërë me PCR-TEST.

“Simptomat e gripit të zakonshëm në përgjithësi janë si temperatura, ethet, plogështi, kokë dhimbje, zënie apo rrjedhje hundesh, kollitje, dhimbje fyti, dhimbje trupi, muskujve etj, këto simptoma janë shumë të ngjashme me COVID-19, duke qenë se të dy sëmundjet nganjëherë shkojnë në formë të rënda atëherë diferencimi duhet bërë me pcr test”, tha Mehmeti.

E sipas infektologut Hamdi Ramadani moshat mbi 65 vjeç duhet të vaksinohen sa më shpejt kundër gripit sezonal.

“Simptomat e gripit sezonal janë afërsisht të ngjashme me atë të COVID-19, duhet të kemi kujdes ndaj gripit sezonal me ushqim dhe marrje të vaksinës anti-griproze të gjithë ata mbi moshën 65 vjeç dhe të sëmurët kronik, tash sa më shpejt të vaksinohen kategoritë e prekura”, tha Ramadani.

Shpërndarja e 140 mijë vaksinave kundër gripit sezonal në Kosovë ka nisur me 27 tetor të këtij viti.