Përfundon intervistimi në Prokurori, i dyshuari për vrasjen e Aulon Zekës deklarohet i pafajshëm

E publikuar: 18/09/2017 00:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përfunduar marrjen në pyetje të dy personave të mitur, të arrestuar në mbrëmjen e së dielës nga Policia e Kosovës, mbi dyshimet për përfshirjen e tyre në vrasjen e 16-vjeçarit Aulon Zeka, të shtunën.
Dy të dyshuarit janë mbrojtur në praninë e avokatëve të tyre, ka bërë të ditur prokurori Valdet Gashi, në një prononcim për Gazetën Express.

I dyshuari si autor i vrasjes, mashkull, nuk e ka pranuar fajësinë për krimin, ndërsa e pafajshme është deklaruar edhe një femër, që dyshohet si pjesëmarrëse në veprën penale.

Pas intervistimit të dy të miturve, mbi dyshimet e bazuara për ndërlidhjen e tyre me rastin në fjalë, Prokurori ka vendosur që fillimisht dy personat të dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Prokurori mund të vendosë më tej edhe masë për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale.

Më herët, Prokurori po ashtu ka treguar për Express se edhe disa fotografi, të publikuara në rrjetet sociale, që mund të përbëjnë dëshmi për përfshirjen e supozuar të dy të arrestuarve në rastin e vrasjes së Zekës, po analizohen në kuadër të hetimeve.

Express ka raportuar më herët duke u bazuar në burime se i dyshuari kryesor për vrasjen e Aulon Zeka është një shok i tij i ardhur nga Amerika, me të cilin kishte pasur edhe një herë tjetër probleme.

Jozyrtarisht, Express ka mësuar edhe se vajza e arrestuar është e dashura e të dyshuarit për vrasjen e Zekës. /Express/