Përfundon aksioni në Karaçevë, kështu duket tash zona e veprimtarive ilegale

E publikuar: 15/12/2021 12:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka përfunduar aksioni i Policisë dhe Prokurorisë Themelore të Gjilanit në Karaçevë të Kamenicës. Në këtë zonë u rrënuan tri kazino, u konfiskua një numër i konsiderueshëm i aparateve të lojërave të fatit dhe u prangosën dy persona. Policia ka identifikuar edhe persona tjerë që dyshohet se janë përfshirë në veprimtari ilegale.

Ekipi i T7 po qëndron në vendin e ngjarjes dhe nga atje sjellë pamje gazetari Unitet Berisha se si duket Karaçeva pas aksionit të sotëm.

Pamjet dëshmojnë se objektet e veprimtarive ilegale janë totalisht të rrënuara.

Për aksionin ka folur edhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rrahimaj, duke u shprehur se aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar dhe aty ka asistuar edhe komuna.

“Aksioni ka qenë i koordinuar mes organeve të drejtësisë kemi qenë të njoftuar për këtë aksion. Kazinot që kanë qenë të ndërtuara në mënyrë ilegale janë rrënuar. Bëhet fjalë për tri kazino të rrënuara. Aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar si dhe komuna ka asistuar në rastin e rrënimit”, tha Rrahimaj për Gazetën Express.

Aksione të Policisë së Kosovës kundër dukurive ilegale në Karaçevë ka pasur edhe në të kaluarën, por që sërish kanë nisur të lulëzojnë kazinot.

Muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër 73 personave lidhur me rastin ‘Karaçeva’, në mesin e tyre ka edhe zyrtarë policorë.