Për nëntë muaj 110 gra kanë abortuar në Klinikën e Gjinekologjisë

E publikuar: 16/11/2017 14:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërprerja e shtatzënisë në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për Ndërprerjen e Shtatzënisë.

Që nga viti 2008, nënat mund të kryejnë abort me vetëdëshirë sipas së drejtës që ua jep ky ligj.

“Ndërprerja elektive e shtatzënësisë mund të bëhet deri në fund të javës së dhjetë (10) të shtatzënësisë duke llogaritur nga dita e parë e ciklit të fundit menstrual”, thuhet në nenin 6 të ligjit, shkruan Gazeta Shneta.

E këtë të drejtë përgjatë këtij viti e kanë shfrytëzuar shumë gra.

Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, nga janari i këtij viti deri më 14 nëntor, janë kryer 110 aborte të nënave me vetëdëshirë.

Dr. Jakup Ismajli ka deklaruar se të gjitha abortet janë kryer për shkak të mungesës së planifikimit familjar.

“Ka edhe raste kur ne i bindim që të mos kryejnë abort. Para se të kryhet intervenimi, ne angazhohemi që të bisedojmë me prindërit dhe arrijmë që t’i bindim të heqin dorë nga ky vendim”, ka thënë Ismajli.

Ai ka shtuar se abortet kryhen me anestezion lokal dhe sipas nevojës edhe me anestezion të përgjithshëm.

Në Kosovë nuk ka numër të saktë të aborteve, pasi shumica prej tyre kryhen në klinika private, madje edhe në atë të palicencuara.