Për dy muaj, rreth 2 mijë azilkërkues nga Ballkani në BE

E publikuar: 21/05/2022 11:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetasit nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit perëndimor vazhdojnë të kërkojnë azil në vendet e ndryshme të BE-së.

Edhe gjatë dy muajve të parë të këtij viti, janar e shkurt, shtetas nga këto vende kanë kërkuar azil në disa nga 27 vendet e BE-së. Megjithatë, numri i tyre mbetet thuajse i papërfillshëm, ndonëse nga këto shtete, më së shumti azilkërkues ka nga Shqipëria e më së paku nga Mali i Zi, kurse Kosova ndodhet në vendin e parafundit. RTKlive sjell të dhëna bazuar në shifrat e siguruara nga Eurostat.

Kosova

Vetëm në nëntë shtete nga 27 sa ka Bashkimi Evropian, kosovarët kërkuan azil në dy muajt e parë të këtij viti.

Gjatë muajve janar e shkurt , në të gjitha këto nëntë shtete, azil kërkuan 425 shtetas të Kosovës.

Vendi më i preferuar për kosovarët për të kërkuar azil, mbetet Franca ku në muajt janar e shkurt 2022, bazuar në të dhënat e Eurostatit, azil kërkuan 195 persona, 90 në janar e 105 në shkurt.

Bazuar në statistikat e siguruara nga RTKLive nga Eurostat, Agjencia e Statistikave të BE-së, Italia është vendi i dytë më I preferuar për azil nga kosovarët.

40 në janar e 45 në shkurt është numri I kosovarëve që kërkuan azil në shtetin përtej Adriatikut.

Më pas, radhitet Gjermania me 40 azilkërkues në janar e 35 në shkurt, pastaj Belgjika ku në dy muajt e parë të këtij viti, azil nga Kosova kërkuan 25 persona.

Pastaj, Suedia me 15, Holanda me 10, Austria me 10, Sllovenia 5, Luksemburgu 5 azilkërkues nga Kosova në muajt janar e shkurt 2022.

Mali i Zi

Sa i përket Malit të Zi, nga 27 vendet anëtare të BE-së, qytetarët e këtij vendi, azil kanë kërkuar vetëm në katër shtete.

Sipas Eurostatit, shtetasit e Malit të Zi, në dy muajt e parë të këtij viti, janar e shkurt, azil kanë kërkuar Gjermani, Francë, Itali e Luksemburg.

Malazezët më shumë preferojnë Gjermaninë ku azil kanë kërkuar 100 shtetas, në Francë 20, në Itali 5 e në Luksemburg 5, që në total janë 130 kërkesa për azil.


Maqedonia e Veriut

Situatë e ngjashme është edhe me Maqedoninë e Veriut,e dhe pse shtetasit e këtij vendi, dukshëm më shumë preferojnë për azil Gjermaninë.

Nga pesë shtete të BE-së, në muajt janar e shkurt, në Gjermani azil kërkuan 770 persona, pastaj 85 në Francë, 30 në Belgjikë e 5 në Holandë dhe 10 në Suedi.

Në përgjithësi në muajt janar e shkurt 2022, nga Maqedonia e Veriut, azil në vende e BE-së kërkuan 900 persona.

Shqipëria

Shqipëria mbetet rekord sa i përket numrit të azilkërkuesve në vendet e BE-së. Vetëm në janar e shkurt 2022, nga ky shtet, azil kanë kërkuar 1.955 persona.

Kështu, në 11 vende të BE-së, azil nga Shqipëria kërkuan më së shumti në Francë. 1.000 persona kërkuan azil në këtë vend për dy muaj, pasuar në Gjermani me 480 persona.

Nga Shqipëria,190 persona kërkuan azil në Itali, 155 në Greqi, pastaj 75 në Belgjikë, 15 në Irlandë, 10 në Spanjë, 10 në Holandë, 10 në Suedi, 5 në Portugali dhe 5 në Luksemburg.